Goditje me parametra zero për Interin, mbrojtësi i PSG-së mund të jetë afrimi i parë

12/11/2019 19:09

Interi ka zhvilluar një fillim sezoni pothuajse perfekt në drejtimin e Antonio Contes. Në 12 javët e para të kampionatit ka realizuar 11 fitore dhe vetëm një humbje dhe aktualisht ndodhet në vendin e dytë të renditjes së kampionatit italian me vetëm një pikë larg nga Juventusi kryesues.

Pavarësisht paraqitjeve pozitive zikaltërit janë duke vuajtur shumë në organikën e lojtarëve si për arsye dëmtimesh por edhe  nga mungesa alternativave në stol. Pikërisht kjo emergjencë i ka shtyrë drejtuesit e klubit për t’u hedhur në merkato dhe lista e tyre është mjaft e gjatë.

Në sulm prioritet mbetet Olivier Giroud, 33-vjeçari është në skadencë kontrate me Chelsea-n dhe do të ishte i gatshëm për një aventurë të re larg ishullit. Në mesin e fushës kërkohen Rakitiç, Matiç dhe Arturo Vidal. Të tre futbollistët vlerësohen shumë nga tekniku Conte dhe do ta bënte të buzëqeshte këtë të fundit edhe sikur në merkaton e janarit të afrohej vetëm një lojtar nga emrat e përmendur. Por drejtuesit zikaltër me në krye Beppe Marotën, janë duke vlerësuar edhe lojtarët që janë në skandencë kontrate.

Sipas mediave përtej Adriatikut, në orbitën e Interit është vendosur edhe mbrojtësi i majtë i Paris Saint Germain, Layvin Kurzawa. 27 vjeçari nuk po kalon një moment të mirë në Paris dhe me shumë mundësi nuk do ta rinovojë kontratën e tij me kampionët e Francës që i skadon në verën e 2020. Në rast të një arritje të një marrëveshje mes Interit dhe menaxherëve të lojtarit, zikaltërit do të kishin në kontingjentin e tyre një mbrojtës vërtet cilësor dhe për më tepër duke mos shpenzuar as edhe një cent për shërbimet e tij.

Top Channel