Vizita dy ditore e presidentit kinez, Xhin Pin, ka filluar me vendosjen e një kurore lulesh pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur, para parlamentit.

Pak më vonë ai është pritur nga homologu i tij grek, Prokopis Pavlopoulos dhe në vazhdim nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili në konferencën e përbashkët ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe sidomos atyre ekonomike, me finalizimin e zgjerimit të investimit gjigant kinez COSCO, në portin e Pireut.

“Synimi ynë është i ndërsjellë, që Pireu të mos bëhet vetëm porti më i madh në Mesdhe, por pse jo, edhe porti më i madh në Europë. Mbi të gjitha tashmë është duke u bërë qendra më e rëndësishme e tranzitit midis Evropës dhe Lindjes së Largët”, ka thënë kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Sipas kreut të qeverisë, Greqia po zgjeron marrëdhëniet me Kinën në një moment kur ajo po rifiton rolin e liderit në rajon. Mitsotakis iu referua edhe rëndësisë së 16 marrëveshjeve dhe memorandumeve që nënshkruajnë dy palët në fushat e ekonomisë, teknologjisë, telekomunikimit, turizmit, kulturës dhe disa çështjeve juridike në fushën e agrobiznesit.

“Unë jam i sigurt që do të bëjmë maksimumin me komisionin e përbashkët të ekonomisë dhe tregtisë dhe të zgjerojmë vazhdimisht tregtinë në dy drejtime dhe investime të ndërsjella duke emetuar potencialin tone në sektorët e energjisë, transportit dhe bashkëpunimit financiar”, ka thënë presidenti kinez, Xi Jinping.

Presidenti kinez që shpeshherë ju referua filozofëve grekë të lashtësisë ka përshëndetur hapjen e bankave kineze në Greqi dhe rëndësisë së forcimit të fluksit të turistëve kinezë në vend.

Kinezët që po përdorin Greqinë si një porte hyrje në zonën e BE-së shohin me interes një seri investimesh. Vetëm në pesë vitet e fundit mbi 7.000 kinezë sipas një ligji të ri kanë përfituar të ashtuquajturën “Vizë e artë”, duke marrë një leje të veçantë qëndrimi për vendet e BE, pasi kanë blerë pasuri të patundshme me vlerë mbi 250.000 euro.

Aleksandër Marku

Top Channel