Kryeministri, Edi Rama, në një ceremoni në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës, vlerësoi Pekinin si partnerin e dytë tregtar të vendit tonë pas BE-së. Ai tha se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të rritet, por duke respektuar qasjen e njëri tjetrit, që për Shqipërinë është Perëndimi. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se me vënien në jetë të “Shengenit Ballkanik”, turistët kinezë do të futen pa viza në këto shtete që do të bëhen pjesë e projektit.

“Me çuarjen para të marrëveshjes së Shengenit Ballkanik ne besojmë se vitin tjetër do të kemi një bum turistësh kinezë, pasi në muajt në vijim do të dakordësojmë se për kinezët nuk do të jetë e nevojshme që të kenë më shumë se një pikë hyrëse në sensin e dokumentacionit dhe praktikisht në të gjithë zonën ku do të funksionojë marrëveshja do të jetë e mundur të lëviznin pa viza” tha ai. Në vijim të fjalës së tij, Rama i vlerësoi kinezët si mbrojtësit më të mirë të gjuhës shqipe.

“Ky aktivitet është një moment kthimi te e shkuara përmes imazheve që në shumicën e tyre na janë të njohur. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s, Kina nuk resht së kultivuari politika së dakordësuara prej kohësh dhe mbetet në një kontinent shtet. Nuk është aspak çudi që Kina është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë pas BE-së dhe portofoli i kësaj marrëdhënie nuk ka asnjë mundësi tjetër se të njohë rritje të vijueshme.

Sot Shqipëria është vendi që çdo vit e më shumë kinez zgjedhin të kalojnë pushimet. Vetëm këtë vit rritja e turistëve kinezë krahasuar me atë paraardhës është 65%, më e madhe e të gjithë kategorive të huaj. Me çuarjen para të marrëveshjes së Shengenit Ballkanik ne besojmë se vitin tjetër do të kemi një bum turistësh kinezë, pasi në muaj në vijim do të dakordësojmë se për kinezët nuk do të jetë e nevojshme që të kenë më shumë se një pikë hyrëse në sensin e dokumentacionit dhe praktikisht në të gjithë zonën ku do të funksionojë marrëveshja do të jetë e mundur të lëviznin pa viza.

Nëse sot Shkupi dhe Beogradi kanë numrin më të madh të turistëve kinezë, dicka më shumë sesa një çerek milioni së bashku, mundësia për të ardhur në Tiranë pa vizë do të rrisë shumë kapacitetin e ofertës sonë në raport me kërkesën në rritje dhe përfshirja e të gjitha vendeve në këtë hapësirë për kinezët do të jetë një energji që ne sot nuk arrijmë ta në funksion të ekonomisë dhe turizmit. Kina është një potencial i shfrytëzuar në aspektin kulturor dhe në aspektin e gjithë asaj që sjell bashkë me një kulturë të larmishme edhe një dije të thellë dhe gjithanshme. Mes kulturave tona ka pasur një marrëdhënie dashurie, por sot ka një boshllëk, që me vënien në funksion të elementëve të dy realiteteve të reja do të mund të sjellë më tepër.

Mua më ka bërë përshtypje kur isha në Kinë, pasi doja të qepja një xhaketë mao me përmasat e mia, por nuk kishte në dyqan dhe më çuan në rrobaqepësi, dhe aty ishin rreth 60 rrobaqepëse dhe pasi e morën vesh kush isha filluan të këndonin këngën ‘ara, fabrika dhe kantiere’. Në takimin që pata në darkë me kryetarin e bashkisë së Pekinit i thash më ka ndodhur kjo gjë. Ai më pa dhe filloi të këndonte ‘Malet me blerim mbuluar’. Atëherë ishte një kohë kur dashuria sillte të ardhurat, ndërsa tani të ardhurat duhet të sjellin dashuri. Një xhevahir i kësaj marrëdhënie është katedra e gjuhës shqipe në Pekin dhe aftësia për të shkruaj shqip e studentëve kinezë. Jam përpjekur të gjej një gabim ortografik të ambasadës Kineze në Shqipëri dhe nuk kam gjetur asnjë gabim deri tani. Ata që e shkruajnë më mirë gjuhën shqipe sot në Shqipëri janë kinezët. Është fakt.

Do të ishte një hap i madh nëse një kinez do të pranonte të drejtonte katedrën e gjuhës shqipe për drejtshkrimin. Kinezët janë mbrojtësit e pamposhtur të kështjellës së gjuhës shqipe që po sakatohet nga ne. Këto marrëdhënie do të jetë të frytshme derisa ne të ruajmë dy vijat që shtrova më lart lidhur me qasjen ndaj realitetit të tjetrit. Koha më e mirë për të mbjellë një pemë ishte përpara 20 viteve, tani nuk dua të them se ishte para 70 viteve. Uroj që miqësia jonë të mbetet reciproke dhe ne të përfitojmë sa më shumë jo financiarit, pasuria eksponenciale që po rrit Kina sot është dija” deklaroi ai. Në COD është hapur ekspozita “Përtej kujtimeve”, në kuadër të 70 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.

Top Channel