Eventi i rrallë/ Mërkuri “sfilatë” para Diellit

11/11/2019 20:01

Ndodh 13 apo 14 herë në një shekull që Mërkuri të kalojë si një nishan i vogël përpara diskut gjigant të diellit, duke shkaktuar një eklips thuajse të padallueshëm dhe hera tjetër që fenomeni do të regjistrohet do të jetë 13 nëntori 2032.

Ndaj, takimi i sotëm, nuk duhej humbur dhe astronomët dhe të apasionuarit pas qiellit u organizuan për të vëzhguar vallëzimin e planetit përballë diellit. Shikimi sidoqoftë ishte i pamundur me sy të lirë dhe u deshën teleskopët ose të paktën një dylbi për të parë diçka. Kalimi i fundit i Mërkurit para diellit i takon tre viteve më parë, më 9 maj 2016, dhe ai i mëhershëm në 8 nëntor 2006.

Vëzhgimi i fenomenit nuk është vetëm një kuriozitet, por për astronomët është një rast për të studiuar shtresat më të jashtme të atmosferës së diellit, apo fotosferën dhe kromosferën. Për shkak se Mërkuri është më afër diellit se sa toka, ai kalon vazhdimisht mes planetit tonë dhe diellit, por orbita e tij është e përthyer krahasuar me atë tokësore ndaj edhe fenomeni mund të vëzhgohet vetëm kur dy orbitat ndërlidhen. Në momentet e kalimit tranzit, planeti më i vogël i sistemit diellor ishte 101 milionë kilometra larg nga toka.

Kalimi i tij ndodhi në harkun e disa orëve, si një disk i vogël, i zi që ka në sfond diskun e madh të diellit. Por, vëzhgimi i fenomenit, nga fillimi deri në fund, ishte i dukshëm vetëm nga Amerika qendrore ndërsa në rajonin tonë, mund të shihej duke filluar nga ora 13.35 e së hënës, deri rreth orës 18.00.

Top Channel