Kosova nuk u bë pjesë as e samitit të dytë rajonal, i organizuar sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ftesa i është dërguar presidentit Hashim Thaçi, por ky i fundit e ka refuzuar duke treguar edhe arsyet.

Sipas Thaçit, Kosova është anashkaluar qëllimisht nga Serbia në samitin e parë të Novi Sadit dhe ku morën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi dhe Sarajeva është një arsye tjetër që Thaçi përmend për refuzimin e ftesës.

  Takimi në Ohër, publikohen fotot e takimit Zaev-Rama-Vuçiç

Reagimi i plotë

Si President i Republikës së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese.

Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale.

Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.

Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.

Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar.

Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta. HTH

Top Channel