Marotta: E njoh mirë Conten, duam lojtarë me eksperiencë

09/11/2019 21:44

Administratori i Deleguar për çështjet sportive te Interi, Giuseppe Marotta nuk iu shmang dot komenteve në lidhje me deklaratat e bëra nga Antonio Conte në përfundim të sfidës ndaj Borussias së Dortmundit.

“E njoh mjaft mirë Antonio Conten dhe kulturën e tij për të fituar gjithmonë, ndaj i marr në mënyrën më të mirë deklaratat e tij. Të gjithë te Interi jemi në të njëjtën linjë dhe duam të fitojmë”, deklaroi Marotta.

Sa i përket merkatos së dimrit, Administratori i klubit zikaltër pranoi se nuk është mundësia më e mirë për të përforcuar ekipin, por shtoi se drejtuesit janë vigjilentë për të shfrytëzuar mundësitë që ofrohen.

“Intuita ime më thotë që në merkaton e dimrit nuk do të kemi shumë mundësi të mëdha, por jemi gati të shfrytëzojmë çdo rast për t’u përforcuar. Duam lojtarë me eksperiencë, për të bërë ndërthurjen më të mirë, por jo lojtarë në fund të karrierës”, shtoi administratori zikaltër.

Top Channel