Të ardhurat në buxhetin e vitit të ardhshëm programohen 502 miliardë lekë ose 6.2 përqind më shumë se këtë vit, ndërkohë që taksat nuk ndryshojnë.

“Kemi menduar të mos ndryshojmë asnjë taksë për të lënë biznesin të punojë”, u shpreh Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Rritja e parashikuar e të ardhurave për vitin tjetër është dy herë më e lartë se faktikja e këtij viti. Sipas qeverisë kjo mundësohet nga ulja e informalitetit dhe përmirësimi i ndjeshëm i rritjes ekonomike.

“Vitin tjetër do të jetë 4.1 përqind, ndërkohë në 2021 shkon 4.5 përqind”, vijoi ministrja.

Për vitin 2020-n, deficiti buxhetor ose huamarrja e qeverisë bie në 1.6 për qind të prodhimit kombëtar. Ky është niveli më i ulët në dy dekada, që mundëson uljen e borxhit publik.

“Në 2020-n borxhi ulet në 62 përqind, ndërsa në 2021 bie nën 60 përqind”, shtoi Denaj.

Anila Denaj tha se rritja e të ardhurave i mundëson qeverisë që të japë më shumë para për arsimin dhe shëndetësinë vitin e ardhshëm, ndërkohë që investimet publike do të jenë 680 milionë euro.

 

 

 

Top Channel