Europa pa zgjidhje për kthimin e militantëve të ISIS-it

08/11/2019 20:56

Europa ende nuk e ka një zgjidhje për kthimin e militantëve të ISIS-it. Këta janë njerëz që në kontinentin e vjetër, nuk i do askush: Anëtarët e grupit terrorist mbahen në burgjet apo kampet kurdë në veriun e Sirisë, e gjithnjë e më shumë edhe në burgjet turke.

Turqia e tregoi përpara disa ditësh se kërkon ti kthejë në vendet e origjinës përkrahësit e shtetit islamik. Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu u shpreh se në burgjet turke qëndrojnë 1.200 milicë të IS-it, shumë të tjerë mbahen në qendra dëbimi.

Edhe ai theksoi, se Turqia do të kthejë në vendet e origjinës milicët e IS-it. Problemi nuk është i ri. Por qeveritë europiane deri më tani nuk kanë vepruar. Që nga fitorja ushtarake kundër IS-it në mars, burgjet e kampet kurdë janë mbushur me ish-luftëtarë të IS-it, me gra dhe fëmijë. Sipas një studimi të Institutit Egmont në Bruksel, afër 500 burra e gra dhe 750 fëmijë vijnë nga vendet europiane.

Kërkesa drejtuar vendeve europiane për të pranuar qytetarët e tyre ka pasur gjithmonë nga kurdët, që vetë administrojnë Sirinë veriore e që ndjehen të lënë vetëm me këtë problem. Edhe presidenti Trump i bëri thirrje vendeve europiane në shkurt që të marrin qytetarët e tyre. Por deri më tani është bërë shumë pak. Problemi u bë më akut me ofensivën turke në Sirinë veriore.

750 të burgosur të IS-it, thuhet se e kanë përdorur atë për të dalë nga burgjet, mes tyre edhe katër gra gjermane. Vërtet ato u ndaluan sërish nga forcat turke të sigurisë, por tani është shumë më konkret rreziku pak a shumë abstrakt i një kthimi të pakontrolluar e të pa vënë re të përkrahësve të IS-it. Kjo vlen edhe për rrezikun e një atentati terrorist.

Top Channel