Sipas ligjit të Maqedonisë së Veriut për tregtimin e barnave narkotikë dhe psikotropë, kanë të drejtë vetëm disa farmaci të shesin vajin e kanabisit me përmbajtje THC.

Top Story ka gjetur një farmaci në Shkup që tregton vaj kanabisi, i cili mund të merret me dy receta. Një prej të cilave e mban farmacia dhe tjetra dorëzohet në polici. Këto që jeni duke parë në pamje janë disa formë doza të ndryshme të vajit të kanabisit me THC. Sipas zbulimeve shkencore ky vaj mund të shërojë një numër të lartë diagnozash.

Çmimi i vajit me THC është më i lartë se ai me CBD. Në bazë të përqindjes që ai ka vendoset edhe vlera financiare. Në këtë farmaci çmimi varion nga 150 euro në 200 euro.

Edhe pse në Maqedoninë e Veriut është legalizuar kultivimi dhe përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore, ka ende kanale të tregtimit në të zezë. Pacientët që vijnë nga vendet fqinje, që nuk e kanë legalizuar përdorimin e tij, e marrin atë në tregun e zi.

Specialistët u bëjnë thirrje pacientëve që të mos e blejnë në këtë mënyrë. Pasi nëse nuk jepet nën këshillat e mjekut mund të ketë efekte anësore halucinacione, përgjumje, ankth dhe dhimbje koke.

“Disa s’kanë efekte anësore disa të tjerë po, varet nga ekstrakti. Disa nga efektet anësore mund të jenë paranoja, halucinacionet, përgjumja, mund të flenë 16 orë në ditë”, tregon Davor Angelovski, mjek, Maqedoni e Veriut.

Top Channel