Ka disa vite qe Halloween-it po shfaqet gjithnjë e më tepër edhe në Shqipëri.
Lehtësisht, kushdo, mund të gjejë informacione për kuptimin e kësaj feste, për kontekstin ku e ka zanafillën, për simbolikën e saj okulte, për përqasjen e pahijshme me vdekjen, duke e fshehur pas një fasade “festive” por sidoqoftë makabër.

Nuk po ndalem tek asnjëri prej aspekteve që thashë më lart. Sot dua të flas për Halloween-in në disa këndvështrime le të themi profane, pra nga këndvështrime për të cilat nuk do të duhej asnjë thellim apo studim i termit, historisë, apo simbolikës së tij, por thjesht duke u nisur nga një buon sens dhe një mendim paksa kritik.
Se pari po ndalem tek ajo që sheh syri gjatë këtyre ditëve. Duke filluar nga maskat, tek klima që krijohet dhe së fundi shëmtia. Padyshim emri tjetër që do t’i vija është “festa” e së shëmtuarës dhe e përtalljes me vdekjen, thua se e shëmtuara ka sjellë ndonjëherë ndonjë fryt edukativ, përkundrazi. Si edukatore mendoj se një ”festë” e tillë nuk sjell asgjë të mirë dhe përveç shqetësimit të brendshëm dhe paqetësisë që ngjall ky “folklor” makabër dhe i shëmtuar, mëson më të vegjlit sidomos të mbushin sytë me të shëmtuarën dhe të frikshmen. Më kumbon fort në vesh thënia e Dostojevskit: “Bukuria do ta shpëtojë botën”
Së dyti po ndalem tek festa si koncept. Si çdo popull edhe ne kemi mënyrën tonë të festuarit festat tona kombëtare, momentet dhe traditat familjare, shoqërore dhe fetare. Në këto festa, në secilën prej tyre, ka një vlerë: jeta, atdheu, besimi, solidariteti, e bukura, harmonia mes njerëzve, vëmendja për më të varfrit, për punëtorët, për prindërit dhe mësuesit si figura të dashura të denja për respekt e mirënjohje. Pra ta quash “festë” Halloween-in është tepër e guximshme, gati e pahijshme. Më vjen natyrshëm pyetja: sikur ta ngrinim në rang feste, me cilat nga vlerat tona dhe mënyrat tona të festuarit do ta lidhnim? Çfarë virtytesh lartëson? Si kontribuon për harmoninë mes njerëzve njerëzit? A i bën ata më të mirë, më të vëmendshëm, më solidarë, më njerëz? Zor se mund ta lidhim ne ndonjërën nga këto vlera, si për nga përmbajtja si për nga forma.
Se treti po ndalem tek shkolla. Përse u dashka të festohet në shkolla? A nuk ka shkolla detyrën/misionin të edukojë, përveçse të arsimojë? A nuk është shkolla vendi ku një qytetar mëson vlerat më të mira dhe rritet si person? Sigurisht përgjigja është po. Atëherë këtu kam nevojë për ndihmë, pasi nuk e lidh dot të qenit shkollë, të pasurit një mision, dhe të zgjedhurit e një aktiviteti të tillë si një propozim edukativ për nxënësit.
Më brejnë edhe disa pyetje të tjera: Neve, si edukatorë, na mungon fantazia për të gjetur mënyra argëtuese të tjera për fëmijët tanë, Na mungon ndjeshmëria? Na mungon aftësia për të reflektuar mbi fenomenet shoqërore, mbi modat, mbi shkaqet dhe pasojat e tyre? Na intereson të kontribuojmë për mbarëvajtjen e bizneseve me rritjen e shitjes së maskave dhe aksesorëve?
Kemi nevojë për ju prindër, na ndihmoni edhe ju. Sepse që shkolla të jetë vendi ku formohet e ardhmja, ku formohen, pra jo vetëm shkollohen, fëmijët kemi nevojë për zërin tuaj, që duhet ngritur duke kërkuar edhe llogari për ofertën edukative edhe respekt për vlerat që ju keni dhe që dëshironi t’u transmetoni fëmijëve tuaj.
Uroj që në kërkesat tuaja ndaj shkollës të shikoni përherë më larg, të interesoheni për çdo propozim edukativ që u ofrohet fëmijëve, që në pamje të parë duket dytësor, por që në fakt lë gjurmë tek formimi i tyre.
Dhe për të mos mbetur në kritikë pa dhënë alternativa, ne në Qendrën tonë festojmë festen e gështenjtave dhe të solidaritetit festa të cilat lidhen me vlerat e bashkëndarjes së traditës saleziane, të dëshirës së mirë për të kontribuar me gëzim për të ndihmuar dikë që ka nevojë. Jua siguroj se argëtohemi shumë!
Moter Teuta Buka
Drejtore e Qendrës Maria Mazzarello

Top Channel