Conte ngre alarmin: Nuk kemi lojtarë, po luajnë gjithmonë të njëjtët

27/10/2019 11:41

Interi humbi një mundësi të mirë për të rimarrë kreun në kampionatin italian, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Parmës në “San Siro”, por më shumë sesa rezultati, trajneri Antonio Conte ka një tjetër shqetësim.

Bëhet fjalë për organikën e cunguar që ka në dispozicion, teksa në intervistën e dhënë pas ndeshjes, pranoi se të njëjtët lojtarë luajtën ndeshjen e tretë brenda 6 ditësh dhe do të luajnë sërish të martën ndaj Brescias.

“Nuk kam çfarë t’u them djemve, sepse ishte ndeshja e tretë në 6 ditë dhe të gjithë po japin maksimumin, madje 200% nga vetja. Organika është minimizuar dhe kjo gjë po më lë pa gjumë. Të martën do të luajnë sërish të njëjtët ndaj Brescias, ndaj mendoj se është momenti që të bëjmë disa vlerësime me shoqërinë”, tha Conte.

Sa i përket takimit, të cilin zikaltrit e komplikuan vetë, më shumë sesa ua vështirësoi kundërshtari, Conte pranoi se të tijtë dhanë maksimumin dhe se në fund merituan të fitojnë, ndonëse nuk ia dolën.

“Pjesën e parë ishte disi më mirë Parma, por jemi dëshmitarë që dy golat ua dhuruam vetë ne. Në pjesën e dytë luajtëm në gjysmëfushën e tyre dhe barazuam, ndonëse jam i bindur që merituam fitoren. Nuk duhet të shohim shumë rezultatet e të tjerëve, por të përqendrohemi te puna jonë. Megjithatë po hedhim në fushë të rinj si Bastoni e Espozito, ndaj është momenti të bëjmë disa vlerësime, pasi të luash në dy kompeticione të mëdha, duhet të kesh organikë cilësore në dispozicion”, deklaroi trajneri zikaltër.

Top Channel