Edhe pse zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni u caktua të mbahen pas 6 muajsh ( në 12 prill 2020), beteja për votën e shqiptarëve ka nisur tashmë mes krerëve të dy partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, raporton TV 21.

“Mbrëmë isha në Gostivar ku për kënaqësinë time të madhe, një pjesë e madhe e qytetarëve në Gostivar, që nuk janë maqedonas etnikë, por janë turq dhe shqiptarë, u ngritën nga lokalet ku po pinin kafe që të më përshëndesin; një pjesë e tyre edhe më përqafuan e disa më thanë se në të ardhmen do të më mbështesin mua dhe VMRO-DPMNE-së sepse janë të zhgënjyer nga ajo që kanë përjetuar në të kaluarën si nga partitë shqiptarë po ashtu edhe nga LSDM-ja e drejtuar nga Zoran Zaev”, ka deklaruar Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Këtyre pohimeve iu përgjigj me ironi kundërshtari politik i Mickosksit, kryeministri dhe kreu i LSDM-së Zoran Zaev. Ai tha se Mickoski me siguri është përqafuar me Arben Tarvarin nga Aleanca për Shqiptarët, por ndoshta se ka njohur se është Kryetari i Komunës.

“U tha në mënyrë precize që ai, ose ka qenë z.Taravari ose nuk e ka njohur që është z.Taravari ose është ndonjëri i kabinetit të tij më të cilin kanë bashkëpunim serioz. Po, ai mund të përqafohet me dikë më të cilin bashkëpunon direkt”, theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Vetë Taravari, që vjen nga radhët e ASH-së i tha TV21 se është i befasuar nga fjalët e Zaevit, dhe sqaroi se askush nga stafi i tij nuk ka qenë në atë takim dhe nuk është përqafuar me Mickoskin. Kryetari i komunës së Gostivarit sakaq shtoi se përsa I takon koalicioneve, të gjitha mundësitë mbeten të hapura.

Top Channel