Festivali i teatrit “Kadri Roshi” që po mbahet në Gjirokastër përcolli emocione të rralla me komedinë “Kopraci” të Molierit.

Nën interpretimin e jashtëzakonshëm të aktorit 93-vjeçar Koço Qendro në rolin e Harpagonit dhe regji të Dhimitër Orgockës që festoi 83-vjetorin e lindjes gjatë këtij festivali, shfaqja ka njohur një tjetër rekord në skenën shqiptare dhe ndërkombëtare.

Kopraci është interpretuar nga Koço Qëndro rreth 300 herë megjithatë aktori thotë se emocionet janë gjithnjë të ndryshme dhe se Harpagoni mbetet roli i tij më kompleks dhe më i vështirë.  Sipas tij kjo komedi klasike e përmasës së Molierit është gjithnjë aktuale dhe përcjell vazhdimisht mesazhe.

 

Klipi Koço Qëndro aktor

 

Regjizori Orgocka thotë se Koço Qëndro ishte pika e fortë për suksesin e komedisë ndërsa zgjidhjet regjisoriale nuk e lënë këtë shfaqje statike. Për festivalin e teatrit komedia kishte ndërhyrje të këndshme koreografike dhe praninë në skenë të rreth 20 aktorëve dhe balerinëve.

 

Klipi Dhimitër Orgocka

 

“Kopraci” një nga kryeveprat e komedisë botërore trajton dhe dënon fenomenin e kopracisë dhe të depersonalizimit prej parasë. Harpagoni i transformuar prej frikës së humbjes së parave humb ndenjat prindërore dhe njëkohësisht edhe dashurinë e fëmijëve të tij. Komedia merr kthesa të çuditshme, krijon situata humori të gjalla dhe në fund Molieri i jep zgjidhje triumfuese të drejtës, të vërtetës dhe njerëzores.

Festivali pritet të ketë mbrëmjen e së mërkurës një tjetër kulm me interpretimin në skenën e kalasë së Gjirokastrës të tragjedisë “Jul Çezari” të Shekspirit. Pjesa është vënë në skenë prej Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” të Tiranës.

 

Top Channel