Autoriteti i Konkurrencës vendosi të hapë një hetim të thelluar mbi kompaninë Bankers Petroleum për abuzim me pozitën dominuese në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto.

Vendimi vjen pas ankesës nga tosk energji, kompania që shfrytëzon rafinerinë e Ballshit.Në fillim të vitit të kaluar Tosk Energji ka lidhur kontratë për të furnizuar rafinerinë nga Bankers. Por sipas saj, Bankers e ka shkelur kontratën duke e furnizuar me një një sasi më të vogël nafte nga sa ishte parashikuar në kontratë, çka e ka vënë në vështirësi financiare duke e detyruar të ndalë punën në uzinën e Ballshit.

“Sa më sipër sjellja e ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania Ltd mund të përbëjë një abuzim me pozitën dominuese që zotëron kjo ndërmarrje, në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto.”

Por këto pretendime hidhen poshtë nga Bankers Petroleum. Sipas saj, marrëveshja është shkelur nga Tosk Energji, e cila jo vetëm që ka kërkuar të furnizohet me çmim më të ulët se tregu, por nuk ka shlyer as pagesat për sasinë e marrë të naftës. Ligji shqiptar dhe marrëveshja e koncesionit i lejojnë prodhuesit e naftës që ta shesin lirshëm në treg të hapur, prodhimin e tyre. Sipas këtij kuadri, Bankers pretendon se ka aplikuar të njëjtin çmim shitje që kuoton tregu ndërkombëtar për të gjithë blerësit duke mos diskriminuar asnjë kompani, qoftë kjo vendase apo e huaj.

Por sipas saj, kompania nuk mund të shesë nën çmimin e tregut, aq më tepër kur blerësit nuk tregohen korrekt në shlyerjen e pagesave. Hetimi I këtij konflikti pritet të zgjasë 6 muaj dhe në fund komisioni I konkurrencës do të marrë vendim nëse Bankers ka abuzuar apo jo me pozitën dominuese në treg.

Top Channel