Top Story rindërton ngjarjen/ Si u rrëmbye Remzi Hoxha, personat që morën pjesë në ngjarje kriminale

22/10/2019 22:02

Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli mbaheshin të izoluar dhe keqtrajtoheshin në bazën e Vainit.

Ndërkohë në Tiranë, urdhërohet shoqërimi i Remzi Hoxhës më 21 Tetor të vitit 1995, pas 6 ditësh në survejim.

Koldashi, afrohet pranë kompanisë së Remzi Hoxhës, tek Frigoriferi, me një mjet “FIAT TIPO”, i drejtuar nga Shpëtim Pasholli ndërkohë oficerë shoqërues ishin Riza Shehu dhe Bajram Bulica. Pasi merr konfirmimin me radio se Remziu ndodhej në zyrë, Koldashi urdhëron efektivët Shehu dhe Bulica ta shoqërojnë.

Dy agjentët e SHIK-ut të armatosur, hyjnë në ambjentet e kompanisë dhe pa ju prezantuar, marrin me forcë Remziun. E gjithë skena është parë nga punonjëset Ruzhdo Kërçini dhe Violeta Radi të cilat kanë bërë kallëzimin në polici. Një prej punonjëseve, ka mbajtur shënim edhe targën e mjetit “TIPO”, TR 2449 C. Në vendngjarje ishin edhe dy mjete të tjera shoqëruese.

Mjeti ku ndodhej Remziu vijoi rrugën drejt Kamzës. Pranë Institutit Bujqësor, Koldashi urdhërohet në radio nga Arben Sefgjini që të ndalen dhe personin e shoqëruar t’ja dorëzonin Kryetarit të Degës së Parë të Tiranës, Ilir Kumbaros.

Fuoristrada me drejtues Besnik Gjuzin vijon rrugën drejt burgut të improvizuar në Vain të Lezhës ku prej ditësh mbaheshin Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli.

Top Channel