Top Story/ Artan Hoxha: Antimafia italiane u vu në lëvizje për vdekjen e prokurorit që zbardhi çështjen e Remzi Hoxhës

22/10/2019 22:02

Rasti i Xhevat Hanës, tërhoqi vëmendje edhe te autoritetet e shtetit Italian, ku ai u transportua për mjekim në atë kohë.
“Aty ku ndodhej shtrati Xhevat Hanës kanë shkuar pjestarë të autoriteteve italiane, kryesisht sektori antimafia.

Por familjarët e tij të mbetur dhe pambështetje nuk kishin mundësi të luftonin me një shtet të tërë”, tregon gazetari Hoxha.

Pas vdekjes së Hanës, dosjen e merr prokurorja Elisabeta Imeraj. Ajo kërkoi në Gjykatë, pafajësi për Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin për akuzën e “Rrëmbimit të personit”. Gjykata vlerësoi nga ana e saj se prokurorja ka vepruar në kundërshtim me ligjin procedural pasi nuk ka tagër të tërheq akuzat në këtë moment të procesit. Gjykata mbajti qëndrimin se ata duheshin dënuar për “veprime arbitrare”, por në fund pushoi çështjen pasi vepra e re ishte amnistuar.

Po ashtu, Imeraj kërkoi riklasifikimin e akuzës tjetër që rëndonte ndaj të pandehurve, nga “Tortura me pasoja të Rënda”, në “Tortura”. Kjo akuzë e re ishte amnistuar dhe kështu Koldashi dhe Sefgjini, i shpëtuan burgut. Në apel, ata u shpallën të pafajshëm. Kujtojmë se gjatë procesit ndaj tij, Sefgjini fillimisht ishte Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve e më pas drejtor i Shërbimit të Provës.

I vetmi që u dënua me akuzën e “Torturës me pasoja të Rënda”, ishte Ilir Kumbaro, që në fakt ishte në arrati. Ai u dënua me 15 vite burg, nga 13 që kërkoi prokurorja Imeraj.

Top Channel