Perandori i Japonisë, Naruhito, ka finalizuar ngjitjen e tij në fronin e krizantemit me një ceremoni të mbështetur në traditat dhe madhështinë e një monarkie që pretendon se ka 2 mijë vite histori.

Ritualet çimentuan një tranzicion që nisi me abdikimin e të atit, më herët këtë vit dhe mblodhën bashkë mbretërorë dhe liderë politikë nga e gjithë bota.

Ceremonia kryesore u mbajt në pallatin perandorak ku pjesëtarë të familjes mbretërore tërhoqën perdet që mbulonin dy fronet perandorake, duke zbuluar perandorin dhe perandoreshën.

Naruhito premtoi se do të lutet dhe punojë për lumturinë e popullit japonez dhe paqen në botë dhe se do të përmbushë detyrimet e tij si simbol i Japonisë dhe i unitetit të popullit japonez.

Familja mbretërore japoneze, gëzon mbështetje të gjerë në vend. Por pavarësisht kësaj, monarkia që shpesh herë cilësohet si më e vjetra në botë, përballet me të tjera shqetësime, veçanërisht trashëgiminë. Perandori Naruhito dhe perandoresha Masako, kanë një fëmijë, vajzën 17 vjeçare Aiko.

Por rregullat perandorake lejojnë vetëm një mashkull në fron dhe femrat mbretërore e humbasin titullin nëse martohen me një njeri të zakonshëm. Me kurorëzimin e Naruhitosë, vëllai i tij Akishino është tani princi i kurorës. Dhe djali i Akishinos, 13 vjecari Hisahito, është i vetmi pasues i mbetur. Tema e ndryshimit të rregullave është diskutuar por sidoqoftë, nuk ka patur asnjë lëvizje konkrete deri më tani.

Ardita Becolli

Top Channel