Lumi i Lanës, 29 kilometra i gjatë, përshkon mespërmes kryeqytetin e vendit. Por sa me shumë i largohesh qendrës, aq më evidente bëhet ndotja prej disa dekadash që i është bërë Lanës.

Këtu ndodhemi afër Pallatit me Shigjeta, dhe kontrasti mes pjesës së rehabilituar dhe asaj që prêt ndërhyrje është shumë i dukshëm.

“Pjesa nga ana tjetër e urës që vjen më e ulët, përmbytet sa herë ka shira të rrëmbyer. Ndërsa këtu tek tregu ku ne shesim, niveli ngrihet deri tek ai brezi ku janë mbledhur qeset dhe mbeturinat e tjera. Për herë të fundit është ndërhyrë para gati 2 javëve, kur pati shira shumë.

Zona përmbytet sa herë ka shira. Uji vjen deri tek avllitë tona. Era e keqe nuk durohet. Këtu duhet ndërhyrë menjëherë”, thonë disa qytetarë.
Interesimit tonë, Bashkia e Tiranës u përgjigj duke nënvizuar se segmenti “Lumi i Lanës nga Ura Teknologjike deri tek Kryqëzimi me Rrugën “Teodor Keko” nga këndvështrimi hidraulik paraqet problem, pasi në rastet kur kemi intensitete të larta shiu, lumi Lana del nga shtrati dhe shkakton përmbytje të zonave përreth në të dy brigjet e saj.

Objektivat e projektit për menaxhimin e situatave emergjente, janë zgjidhja e plote për rehabilitimin hidro-teknik të lumit Lana dhe zgjatja e bulevardeve “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri” konform me Planin Urbanistik te miratuar, duke përfshirë të gjitha infrastrukturën e domosdoshme urbane dhe nëntokësore.

Ky seksion i lumit te Lanës që do të rehabilitohet është rreth 1.8 km dhe ndodhet përgjatë lumit Lana në kalimin e rrugës “Teodor Keko”, i njohur edhe si Unaza e Re.
Juli Ristani

Top Channel