Tirana rigjen fitoren në Kategorinë Superiore pas 3 ndeshjeve me rezultat negativ. Në Selman Stërmasi bardheblutë mposhtën Laçin 2-1 duke ia komplikuar gjendjen skuadrës laçjane.

Bardheblutë e ndërtuan fitoren që në pjesën e parë kur u shënuan të gjithë golat. Dunga kaloi në avantazh skuadrën e Ardian Memës, por lacjanër reaguan shumë shpejt dhe barazuan rezultatin me Nëabuezen.

Ai që i dha suksesin Tiranës ishte Kale që fiksoi shifrat 2-1. me këtë sukses Tirana ngjitet në kuotën e 14 pikëve, po aq sa edhe Partizani që vetëm në çastet e fundit arriti të mposhtë Vllazninë në Shkodër me rezultatin 3-1.

Partizani shënoi i pari me Cordeiron, por Vllaznia iu kundërpërgjigj me Krymin duke barazuar shifrat në 1-1. u duk se sfida do mbyllej në barazim, por në minutat shtesë, partizani shënoi dy herë me Cinarin dhe Asanin për të fiksuar rezultatin në 3-1. Sfida që kishte interesin më të madh në këtë javë të superiores mes Skënderbeut dhe Kukësit nuk pati fitues.

Në Korçë, ndeshja mes dy skuadrave që kanë dominuar futbollin tonë në vitet e fundit përfundoi me rezultatin 0-0 me skuadrat që nuk ishin në gjendje të dërgonin në asnjë moment topin në rrjetë edhe pse mundësitë nuk iu munguan. Nuk pati fitues as në ndeshjen e luajtur në Gjirokastër mes Luftëtarit dhe Bylisit pasi 90 minutat e saj mbyllën me 1-1.

Të dy golat e kësaj sfide që pati edhe momente tensioni u shënuan në pjesën e dytë të saj. Luftëtarin mori kryesimin me golin e Ackës në minutën e 62 të sfidës, por Bylisi fitoi një 11 metërsh në 15 minutat e fundit të sfidës që u shndërrua në gol nga portieri Isli Hidi.

Edhe pas këtij barazimi Luftëtari mbetet në vendin e parafundit me 6 pikë, ndërsa Bylis zbret në vendin e katërt me 13 pikë.

Top Channel