Në dy gjykata të veçanta, vëllezërit vlonajtë, Tesi dhe Santilo Basho janë përballur me akuzat e ngritura ndaj tyre.

Nën masa të rrepta sigurie dhe pa praninë e mediave, këtë të shtunë Gjykata e Vlorë dha tre masa sigurie arrest me burg për Tesi Bashon.

Fillimisht Basho është përballur me akuzën e shtetit Italian, ku në vitin 2016 gjykata e Torinos e kishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy shtetasve rumune, ndërsa po në të njëjtin vit ai arratiset nga burgu ku po vuante dënimin së bashku me dy të tjerë shqiptarë, Ilir Pere dhe Mikel Hasanbelli.

Gjyqtarja Esmerilda Habilaj,ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në Burg”,me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Basho do të qëndrojë në burg deri në mbërritjen e dokumentacionit nga shteti italian, për tu ekstraduar më pas drejt vendit fqinj.

Dy masat e tjera të sigurisë arrest me burg, u dhanë nga gjyqtari Laruent Fuccia, për Bashon edhe për dy vepra të tjera penale, atë të falsifikimit si dhe për armëmbajtje pa leje, prodhimi i armëve,armëve shpërthyese dhe municionit dhe shitje të lëndëve narkotike.

Burime nga gjykata e Vlorës kanë konfirmuar se gjatë gjithë seancës Basho ka qëndruar thuajse në heshtje të plotë,duke mos dhënë asnjë deklaratë rreth akuzave të ngritura ndaj tij.

Nërkaq në Gjykatën e Krimeve të Rënda, vëllai i tij, Santilo Basho, u njoh me masën e sigurisë arrest me burg, nën akuzën e “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Së bashku me të vëllain Tesin, ata dyshohet se kanë kanosur dajën e tyre me inicialet S.H, për t’i dhënë një shumë prej 100 mijë euro për një tokë ku edhe ata kishin pjesë. Mësohet së kallëzimin ndaj vëllezërve Basho, e ka bërë pikërisht daja i tyre.

Gjatë seancës në krimet e rënda, Santilo është shprehur se ka marrëdhënie të mira me dajën e tij dhe se ka qenë daja ai që i ka kërkuar atij për të shkuar e për të marrë lekët.

Avokati i tij ka kërkuar nga gjykata që të pushojë çështjen pasi sipas tij çështja nuk lidhet me gjobëvëniet.

Të dy vëllezërit Basho, u arrestuan tre ditë më parë në Selenicë të Vlorës, ku gjatë operacioni të policisë u sekuestruan arsenal armësh, municione, tritol e lëndë narkotike.

Andi Bora

FOTO GALERI
1/6

Top Channel