Nuk ka “PO” për Shqipërinë/ Debate të nxehta mes liderëve të BE

18/10/2019 16:00

Nga Brukseli, del tym i zi per negociatat. Në një konference për shtyp, kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se do të ketë zhgënjim si për kryeministrin maqedonas ashtu dhe për atë shqiptar.

“Maqedonia e veriut ka bërë shumë sa i përket hapjes së negociatave. Edhe Shqipëria ka avancuar mjaft, megjithatë nuk ka bërë ende aq sa për një vendim unanim. Ka pasur shumë ndasi përsa i takon daljes me një qëndrim të përbashkët për Shqipërinë. Në këtë vend vijon të ketë probleme përfshirë këtu edhe emigrimin, ndonëse Shqipëria edhe në këtë drejtim ka bërë maksimumin. Kur bëjmë premtime patjetër duhet ti mbajmë ato dhe nuk do ti kthejmë shpinën këtyre vendeve; janë disa faza sa i përket anëtarësimit; vërtet dua që të ketë një bashkim të këtyre vendeve me BE-në por më parë duhet të kalojnë në disa etapa të këtij procesi”, shprehet Merkel.

Përmes një mesazhi në Twitter, edhe Komisioneri në largim i zgjerimit, Johannes Hahn e dha praktikisht lajmin e hidhur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Liderët e BE-së nuk arritën të dakortësohen mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në. Zhgënjimi është i madh.
Vendet e Bashkimit Europian tani duhet të sqarojnë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Ky nuk është moment lavdie për Evropën“.

Siç e thashë dhe në Luksemburg, të refuzosh njohjen e një përparimi të provuar tashmë, kjo do të ketë pasoja negative, duke përfshirë këtu rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor me impakt të plotë dhe në BE, ka qenë mesazhi i qartë i tij.

Duket se aspiratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e BE-së, duhet të presin. Krerët e bllokut europian patën debate të tensionuara deri në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes mbi të dy vendet e Ballkanit, por në fund, nuk qenë në gjendje të ishin në një mendje qoftë edhe mbi një deklaratë që ofronte inkurajim dhe shtyrje të vendimit zyrtar.

Presidenti francez Emmanuel Macron e kundërshtoi me forcë çeljen e bisedimeve të anëtarësimit, e në fund, mbizotëroi ndaj liderëve të tjerë, përfshirë Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilët ishin në favor të kësaj lëvizjeje.

Kryeministri Hollandez Mark Rutte mbështeti një kompromis të mundshëm i cili do të lejonte që negociatat të çeleshin me Maqedoninë e Veriut ndërsa Shqipëria të vendosej në listë pritjeje.

E kësaj linje, sipas Ansës, ishte dhe karta e fundit në tryezë për ta bërë presidentin francez të ndryshojë mendim, të cilën e hodhi Finlanda, e cila mban presidencën e BE-së. Ajo nga sa pretendon agjencia italiane e lajmeve, doli me idenë e ndarjes së fateve të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

Plani ishte të “ sakrifikohet Tirana dhe të shpëtohet Shkupi” në përpjekjen përfundimtare për të mos destabilizuar rajonin. Nëse krerët e BE nuk japin dritën e gjelbër në negociatat “qeveria jonë do të vdesë”, pat paralajmëruar kryeministri maqedonas Zoran Zaev.

Por mundësia e ndarjes në këtë process nuk e gjeti mbështetjen e Francës, e madje edhe disa shtete si Italia, janë shprehur se dëshironin një rrugë të qartë për të dy vendet.

Top Channel