80 përqind e të gjitha zjarreve të rëna këtë vit në rang qarku në Gjirokastër kanë prekur bashkinë e Dropullit.

Me një shtrirje të gjerë gjeografike, rrugë malore të vështira për mjetet dhe me një mjet të vetëm zjarrfikës shumë të amortizuar, pa personel dhe pa logjistikë bashkia e Dropullit për të disatin vit radhazi ka pësuar dëme të shumta prej zjarreve. Kreu i kësaj bashkie me buxhet minimal vjetor Dhimitër Loli tha gjatë një takimi ku u analizua performanca e masave dhe ndërhyrjes se gjatë stinës së nxehtë janë ndjerë të pafuqishëm për të përballur zjarret masive.

 

Ndërkaq sipas prefektit Astrit Aliaj planet e masave nuk kanë qenë të zbatueshme në terren, sinjalizimi ka qenë i pamjaftueshëm dhe po kështu janë vërejtur mangësi në pajisjen e vullnetarëve me mjete për shuarjen e zjarreve në të gjithë qarkun.

Lindita Rova që drejton Këshillin e Qarkut në Gjirokastër foli për nevojën e planifikimit të një fondi 4 për qind për emergjencat prej të gjitha njësive vendore. Ajo vëren se në këtë pikë ka shkelje të ligjit në planifikim dhe procedura.

Kreu i shërbimit Zjarrfikës Kujtim Bizhga tha se mungesa e mjeteve është një prej sfidave kryesore që përballin zjarrfikësit në terren. Në të gjithë qarkun u regjistruan gjithsej rreth 81 zjarre, disa prej tyre masive. Në total u digjën rreth 500 ha pyje, kullota, vreshta, pemë frutore, hapësira ne koshere por edhe banesa, automjete dhe makineri bujqësore.

 

 

 

Top Channel