Katalonja pushtohet nga protestat, nesër pritet një protestë masive edhe në Madrid nga studentët

17/10/2019 06:26

Separatistët katalanë, bllokuan rrugët dhe linjat hekurudhore në shenjë proteste ndaj burgosjes së nëntë liderëve të tyre ndërkohë që qeveria spanjolle e quajti atë një dhunë të përgjithshme.

Një ditë më parë, aktivistët kishin sulmuar aeroportin e Barcelonës. Protestuesit, e nisën manifestimin e tyre para zyrave të qeverisë spanjolle në një numër qytetesh katalane, mbrëmjen e të martës, me rreth 40 mijë vetë që dolën në shesh në Barcelonë e me mijëra, në qytete të tjera.

“Është e qartë se ajo me të cilën ne përballemi nuk është një lëvizje paqësore por një lëvizje e orkestruar nga grupet që përdorin dhunën në rrugë për të shkatërruar bashkëekzistencën në Katalonjë” – tha qeveria në një deklaratë.

Disa rrugë u mbyllën në rajonin veri lindor, përfshirë atyë që lidh Barcelonën me Francën. Në Barcelonë ndërkohë policia ka ndaluar qindra demonstrues me maska, të cilët kishin qëlluar me gurë oficerët dhe kishin ndezur zjarre.

Në ditët në vijim është planifikuar edhe një marshim nga pesë qytete katalane, drejt Barcelonës, ku protestuesit do të mblidhen të premten, kur edhe sindikatat kanë thirrur një grevë të përgjithshme. Studentët ndërkohë kanë planifikuar një tubim në Madrid, në mbrëmje.

Top Channel