Cakaj: Me mbështetjen e SHBA, digjitalizohet e gjithë arkiva diplomatike

17/10/2019 13:22

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ish Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro Azisë në administratën e Presidentit Obama, Victoria Nuland, dhe Michael Granoff, Kryetar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF).

Kreu i diplomacisë shqiptare në takim shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme dhe rolin thelbësor të SHBA-ve për ta shndërruar Ballkanin në një zonë bashkëpunimi dhe zhvillimi. Gjithashtu u diskutua rreth Partneritetit Strategjik SHBA – Shqipëri, një nga gurthemelet e politikës së jashtme të Shqipërisë.
 
Ndër të tjera, Cakaj evidentoi mbështetjen e pakursyer të AADF përmes projektit YPSILON.

“Kemi jetësuar projektin YPSILON përmes të cilit do të digjitalizohet gjithë dokumentacioni historik e arkiva e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Digjitalizimi i pasurive arkivore të MEPJ-së do lehtësojë qasjen e shtojë vetëdijen për historinë e diplomacisë shqiptare në përgjithësi.” u shpreh Cakaj në një postim në rrjetin e tij facebook.

Top Channel