Serbia vazhdon t’i ketë borxhe të mëdha Kosovës, përfshirë dhe ato ndaj pensionistëve të Kosovës.

Sipas raportit për çështjen e pensioneve nga viti 1999 deri në vitin 2016, vlera e borxhit që Serbia ka ndaj Kosovës është 2 miliardë e 849 mijë e 907 euro. Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka prezantuar studimin e radhës lidhur me fondin e sigurimit të pensioneve dhe atyre të paaftësisë në Kosovë si dhe raportet bilaterale Kosovë-Serbi në sektorin e energjisë.

Në të dyja këto fusha, sipas këtij Instituti, Kosova është duke humbur vlera të mëdha parash. Në konferencë u prezantuan disa nga gjetjet kryesore dhe rekomandimet nga studimet në fjalë. Raporti i rekomandoi shtetit serb që ta pranojë zyrtarisht përgjegjësinë për dëmin në para dhe dëmin jo-pasuror që ia ka shkaktuar pensionistëve kontributdhënës.

Duke folur për marrëveshjet energjetike midis Kosovës dhe Serbisë, studiuesi Bekim Krasniqi tha se ato nuk janë zbatuar dhe një pjesë janë shkelur hapur nga vendi fqinj. Krasniqi tregoi se borxhi nga faturat e energjisë elektrike të pjesës veriore të banuar me shumicë serbe, ka kaluar shifrën 200 milionë. Shteti serb I ndaloi kontributet e pensionistëve të Kosovës nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës.

Top Channel