Policia e Kosovës arrestoi mëngjesin e sotëm dy persona, në kuadër të një operacioni që synon zbardhjen e rrethanave të vrasjes së politikanit të njohur lokal serb, Oliver Ivanovic në 2018-tën.

Mësohet se njëri prej të ndaluarve është oficer i policisë së Kosovës, por nuk bëhet i ditur identiteti i tij. I arrestuari tjetër është një qytetar të cilit iu gjetën armë të paligjshme e po bëhen verifikime. Forcat e rendit sqaruan se janë në kërkim edhe të një zyrtari të lartë të policisë në veri. Mediat vendase sakaq pretendojnë se i kërkuari është Zhelko Bojiç, komandant i policisë në veriun Mitrovicës ndërsa i arrestuari Rade Basara, që dyshohet për fshehje provash.

Zyrtarë të Beogradit reaguan ashpër ndaj operacionit duke akuzuar Prishtinën se po “përpiqet të fajësojë serbët dhe Serbinë” për vrasjen e politikanit serb. Drejtori i përgjithshëm i policisë serbe Vladimir Rebic deklaroi se “janë të gatshëm të ndërhyjnë në Kosovë nëse do të ndodhë siç e quajti ai, një eksod i popullit serb”. Rebic i tha tha RTS-së se 24 automjete të blinduara kishin hyrë në pjesën veriore të Mitrovicës herët në mëngjes, që është në kundërshtim me rregulloret dhe rezolutat e përbën sipas tij një rast tjetër frikësimi të serbëve.

Ivanovici, udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, u qëllua për vdekje me armë zjarri 16 janarin e një viti më parë përpara zyrës së tij në Mitrovicë. Autoritetet në Kosovë arrestuan në nëntor të vitit 2018 katër veta në lidhje me hetimet për vrasjen, ndërsa kanë lëshuar një urdhër arresti për Milan Radoiçiçin nënkryetar i Listës Serbe, subjekti politik i serbëve të Kosovës i mbështetur nga Beogradi. Ai shmangu arrestimin në nëntor të vitit të kaluar dhe u largua drejt Serbisë ku autoritetet thanë se ai është i pafajshëm.

Top Channel