Sot vendimi për Shqipërinë, Rama: Vendimarrja nuk ka lidhje me çfarë kemi bërë

15/10/2019 16:22

Ministrat e Jashtëm të BE vendosin sot mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Vëmendja gjatë diskutimit në Luksemburg do të jetë e përqendruar më së shumti tek Franca, vetoja e së cilës rrezikon ti përmbysë aspiratat e të dy vendeve.

Mediat maqedonase e nisën ditën me tone pesimiste. Parisi, sipas tyre, nuk do të lëvizë nga pozicioni i tij për të mos i dhënë dritën jeshile hapjes së negocjatave. Franca, thotë shtypi atje, vazhdon t`i mëshojë idesë se nevojiten reformat e mëtejshme nga vendet kandidate si dhe dëshmi plotësuese për luftën kundër korrupsionit dhe pavarësisë së gjyqësorit si për Tiranën, ashtu edhe për Shkupin.

Ajo po kështu kundërshton zyrtarisht ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë proces, ndërsa kërkon një vlerësim “në paketë” për të dy vendet. Por vetë ministrja e jashtme franceze Amelie de Montchalin, nuk e dha një sinjal të tillë përpara takimit.

“Nuk jam në një pozicion vetoje, do ta shohim rrugës. Do të kemi diskutime mbi dy dimensione: së pari, hapja e negociatave, kjo është diçka që përgatitet në Europë. Ne mendojmë sot se kemi nevojë të rishikojmë thellësisht procesin e negociatave. Ne e shohim se ky është një proces , është i gjatë dhe që nuk krijon besim për vendet anëtare. Sepse është shumë i shtrirë në kohë. Pra, si fillim do të flasim çfarë Europa duhet të reformojë në qasjen e zgjerimit dhe negociatave”, ka thënë Amelie de Montchalin,ministre e jashtme e Francës.

Në profilin në Twitter të përfaqësisë së përhershme gjermane në BE sakaq theksohet me forcë qëndrimi i Berlinit pro nisjes së bisedimeve të shumëpritura, i përforcuar nga deklarata e dhënë për gazetaret prej ministrit të shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth, i cili përfaqëson Berlinin në diskutimet në Luksemburg..

“Pozicioni i Gjermanisë është mëse i qartë: ne i mbështesim bisedimet e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë bazuar në votën e Bundestagut gjermane. Bashkimi Europian ka mbi vete përgjegjësinë për paqen, stabilitetin, demokracinë e pajtimin në Ballkanin Perëndimor;dhe kjo do të thotë se ne duhet të mbajmë premtimet tona”, është shprehur Michael Roth.

Roth mbetet një përkrahës i palëkundur i çeljes së negociatave. Por nuk dihet sesa do t`i dëgjojnë vendet skeptike thirrjet e tij për të dërguar mesazhe inkurajuese pozitive në drejtim të Ballkanit Perëndimor.

Hezituese, megjithatë veç Francës, është edhe Holanda, e cila sheh shumë probleme sidomos me Shqipërinë. Danimarka po ashtu është skeptike. Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare edhe diskutojnë sot mbi këtë temë, por vendimi final do të merret në samitin e liderëve të BE-së që do të zhvillohet më 17 dhe 18 tetor në Bruksel.

Kryeministri Edi Rama tha se nuk dihet se çfarë vendimi do të merret në mbledhjen e Këshillit Europian , por kompromisi, sipas tij, nuk është fare i pamundur.

“Gjermania që sot udhëheq frymën e PO-së ka zgjedhur qëndrim të ndryshëm nga vendet e BE-së, jo të parëndësishme për të afruar Francën që janë në pozicion të pafavorshëm për Shqipërinë. Ende nuk kanë dalë në pozicion përfundimtar, nuk është krejt e pamundur të pranojnë kompromis. Emanuel Macron nuk është i gatshëm të shtyjë integrimin e Ballkanit Perëndimor, pa shtyrë më parë reformimin e BE-së. Kjo nuk është një qasje kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vetvete. Asgjë nuk mund të mos përjashtohet deri në minutën e fundit, dhe askush nuk mund të harrojë sesa patate të nxehta janë në tryezë, siç është Brexit. Unë nuk e di si do të përfundojë kjo odise më 18 tetor. Vendimmarrja e 18 tetorit nuk ka lidhje me çfarë kemi bërë ne për të merituar PO-në!!!”, ka reaguar Kryeministri Rama.

Top Channel