Orban merr një goditje të fortë në zgjedhjet lokale, humb edhe Budapestin

15/10/2019 01:16

Partia Fidesz e kryeministri të Hunagrisë, Viktor Orban mori një goditje të fortë në zgjedhjet lokale. Fidesz ka humbur shumicën në një sërë qytetesh të vendit, duke përfshirë këtu dhe vetë Budapestin.

Opozita kandidoi këtë radhë me aleanca të gjëra duke afruar jo vetëm partitë politike por edhe shoqërinë civile. Përfaqësuesit e forcës politike në pushtet siguruan më shumë vota në zonat rurale. Kandidati opozitar nga e qendra e majtë për bashkinë e Budapestit, Gergely Karacsony, në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjeve foli për “një fitore historike për Budapestin”.

“Ky triumf do të thotë se ne e morëm Budapesti nga shekulli i 20-të për ta çuar në shekullin e 21-të. Do të thotë se duke bërë të gjitha përpjekjet e mundshme do ta çojmë qytetin tonë në vendin të cilit ai i përket, në Europë”-tha Gergely Karacsony.

Humbja është një grusht i rëndë për Fidesz-in dhe kryeministrin Viktor Orban, i cili është në pushtet prej vitit 2010. Kryeministri i ka ofruar një lloj bashkëpunimi opozitës e cila në të ardhmen do të drejtojë kryeqytetin, por pa dhënë më shumë detaje për këtë. Simpatizantët e Orbanit kishin kërcënuar gjatë fushatës se bashkitë, të cilat bien në duart e opozitës nuk do të marrin më para nga qeveria.

Top Channel