Borxhi që bizneset i kanë shtetit për taksa të mos paguara ka arritur në 107 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë dollarë.

Raporti i kontrollit të lartë të shtetit për buxhetin faktik të vitit 2018, tregon se në harkun kohor të një viti, borxhi i bizneseve ndaj administratës tatimore u rrit me 12.2 miliardë lekë ose 12.7 për qind.

Por kush janë kompanitë me borxhin më të lartë? Sipas administratës tatimore në vendin e parë renditet ARMO. Rafineria e vetme në vend e shndërruar në një nga gropat më të mëdha të financave publike në fund të vitit të kaluar rezulton të ketë 8.4 miliardë lekë borxhe në shtet për taksa të papaguara.

Pas Armos, në vendin e dytë renditet një kompani publike, operatori i shpërndarjes së energjisë.

Sipas Tatimeve, OSHEE ka 6.2 miliardë lekë detyrime të papaguara ndaj administratës tatimore. Kompania e fundit që mbyll podin e borxhlinjve më të mëdhenj në tatim taksa është një tjetër subjekt I lidhur me ARMON-n. Bëhet fjalë për IRTC, kompania e cila ka shfrytëzuar rafinerinë në vitin 2017 duke lënë 5.4 miliardë lekë taksa të papaguara.

Në listën e debitorëve më të mëdhenj ndaj administratës tatimore rezultojnë të jenë “Efor shpk” me 3.8 miliardë, ndërsa KESH dhe një kompani nga Lezha e quajtur “Koterri” kanë nga 2 miliardë taksa të papaguara. Më pas lista vazhdon me “Energji shpk” dhe “Xheotek Albania”, që kanë nga 1.4 miliardë lekë borxhe duke u mbyllur me “Bell Air” dhe “Bankers Petroleum”, të cilat kanë nga 1 miliardë lekë taksa të papagura.

Këto 11 kompani kanë mbi 35 miliardë lekë ose 320 milionë dollarë taksa të papaguara në shtet. Sipas KLSH disa prej tyre janë në proces faklimentimi ose në status pasiv. Por disa të tjera si bankers, IRTC apo dy kompanitë publike kesh dhe OSHEE janë active dhe vazhdojnë të nxjerrin fitime duke mos paguar taksat në shtet.

Në rastin e Bankers dhe IRTC skandali bëhet edhe më i madh, pasi këto dy kompani shfrytëzojnë pasuritë publike të Shqipërisë dhe ndonëse nxjerrin fitime marramendëse nuk paguajnë as detyrimet në shtet ashtu sic paguajnë bizneset e tjera.

Klodian Tomorri

Top Channel