Një nga nëntë kushtet gjermane për Shqipërinë është fillimi i hetimeve për prokurorët dhe gjyqtarët e rrezuar nga vettingu, ndërsa Këshilli Europian përmend edhe ata që dyshohen për lidhje kriminale.

Aktualisht janë mbi 70 gjyqtarë dhe prokurorë të rrëzuar nga vettingu. Por, ende pa nisur funksionimi i tij disa personazhe të njohur të drejtësisë ikën vetë.

Një prej tyre që dha dorëheqjen është ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana. Ajo u largua me pretendimin se i duhej kohë për tu thelluar në jetën akademike, por me herët kishte deklaruar edhe pasurinë. Nëse do kalonte vettingut, zonja Fana do analizohej për figurën, profesionalizimin dhe pasurinë. Këtë të fundit ajo e ka deklaruar vetë.

Në vitin 2015, pasuria e Mirela Fanës, rezulton të jetë 14 herë më e madhe se paga e saj si gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë. Gjatë këtij viti, të ardhurat e ish gjyqtares Fana, nga paga dhe shpërblimet janë rreth 1.727.000 lekë.

Të ardhurat e saj nga depozitat bankare po në 2015-ën, janë 78.568 lekë, ndërsa të ardhurat nga qiradhëniet janë në vlerën e 1.239.300 lekëve. Me të ardhura të larta, rezulton të jetë edhe bashkëshorti i saj, i cili përgjatë vitit 2015, ka deklaruar rreth 18.000.000 lekë të ardhura.

Po këtë vit, bashkëshorti i saj, ble edhe 2000 metra katror Livadh në Himarë, më çmim 600.000 lekë. Në total, të ardhurat vjetore të ish gjyqtares Fana, për vitin 2015 janë rreth 22.402.570 lekë.

Si gjyqtarja Fana, ka edhe të tjerë njerëz të drejtësisë të cilët u dorëhoqën dhe nuk u përballën me seancat e vettingut. Por a do të mund të justifikojë pasurinë e saj ish gjyqtarja, kjo pritet që të shihet ndërsa Shqipëria do të plotësojë kushtet europiane per hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Top Channel