Komenti mbi foto është vendosur nga Kim Mehmeti

Publicisti Kim Mehmeti ka reaguar ndaj gjestit ofendues që ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard, bëri ndaj disa prej protestuesve të “Unazës së Re”. Ofendimin e Borchard, Mehmeti e konsideron ofendim për të gjithë shqiptarët.

“Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchard, gjatë protestës së banorëve të Astirit, ua nxorri gishtin e mesit banorëve, të cilët po mbështesnin të afërmit e tyre të shoqëruar nga policia. Në të vërtetë gishtin e mesëm ai na e ngriti gjithë neve shqiptarëve, neve që assesi ta kuptojmë se shumë nga diplomatët e huaj që me aq zell na shesin demokraci, janë specialistë të rrugaçërisë. Dhe shtetet perëndimore i dërgojnë nëpër ‘Shqipëritë’ tona sepse i kanë tepricë teknologjike, që nuk u hyjnë në punë për asgjë. E ne, të tillë siç jemi, e siç na ka dhënë Zoti – përbuzës të vetvetes dhe lëpirës të të huajve – i përkulemi çdo të ardhuri nga bota e ‘civilizuar’ perëndimore, duke e pëlqyer edhe gishtin e tyre të ngritur të mesit”, shkruan Mehmeti.

Sipas Mehmetit, ky veprim i ambasadorit është nxitur edhe nga fakti që në Tiranë nuk ka burrështetas që t’i kërkojnë atij largimin nga Shqipëria brenda 24 orëve.

“Ky ambasador bëri publikisht atë që shumë koleg të tij e bëjnë përderisa ‘ndërmjetësojnë’ në zgjidhjen e grindjeve politike brendashqiptare, duke i nxitur ato, sepse ai e dinë se Tirana nuk ka burrështetas që pas këtij gjesti atij ia shtron vetëm një kërkesë – që brenda 24 orëve ta braktisë Shqipëria”, thotë ai.

Kim Mehmeti paralajmëron edhe ndaj përpjekjeve që do të bëhen, sipas tij, nga “debatuesit tanë mendjehapur” dhe mediat proqeveritare, për të mbuluar veprimin e ambasadorit.

“Po pra, ky ambasador beson se çdo gjë do e shpërlajë me një kërkim faljesh, sepse ai e dine se këtë rrugaçëri të tij do e mbulojnë debatuesit tanë mendjehapur dhe mediat proqeveritare, që e kultivojnë mendësinë politike se ai që poshtëron shqiptarin e partisë kundërshtare, me asgjë nuk na ka ofenduar edhe neve! Mendësi që edhe na solli këtu ku jemi sot: që gishtin e mesëm të na e ngrenë edhe ata të cilëve u duhet ‘futur’ gishti!”,- mbyll reagimin publicisti.

Top Channel