Ekzaminimi i zarfeve me fletëvotimet e votuesve nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit, do të bëhet në bashkëpunim me ekspert ndërkombëtarë.

Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar për zbardhjen e dyshimeve për helmim të personelit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Por, presidenti nuk ka dhënë detaje se pse ka qenë i nevojshëm përfshirja e faktorit ndërkombëtar në këtë proces dhe se me kërkesë të kujt është bërë inkuadrimi i tyre.

“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së. Ftoj për përmbajtje nga deklarimet politike dhe nga raportimet e pakonfirmuara deri në përfundimin e hetimeve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në Klinikën Infektive, numri i pacientëve është rritur nga 9 në 11 si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga kundërmimi që thonë ta kenë liruar zarfet e ardhur nga Serbia.

Derisa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke i pritur rezultatet se çfarë ka shkaktuar kruarjen dhe skuqjen e duarve e fytyrës.

Në mëngjesin e së hënës, ekipet e Njësitit Special dhe komisionarët e KQZ-së, kanë bërë zhvendosjen e rreth 15 mijë votave të diasporës nga Qendra e Verifikimit në atë të Numërimit dhe Regjistrimit.

Derisa ato të Serbisë, po vazhdojnë të qëndrojnë në Qendrën e Verifikimit, nën kujdesin e Policisë, për të cilat pritet të merret vendim nga anëtarët e KQZ-së, pas rezultateve të hetuesisë.

Alberta Hashani

Top Channel