Në një intervistë për gazetën “Kathimerini” të së dielës ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias ka ripërsëritur se një prej kushteve kryesore që kërkon Athina ndaj Tiranës për të mbështetur fillimin e negociatave me BE janë të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.

“Flasim ndershmërisht me Shqipërinë. Kërkojmë mbrojtjen e të drejtave të pakicës Greke. Ne nuk kemi pretendime për Shqipërinë. Greqia është një faktor i stabilitetit dhe sigurisë së kufijve. Sidoqoftë, Shqipëria duhet të kuptojë që ecuria e saj europiane përmban mbrojtjen e te drejtave dhe parimeve europiane, të cilat sigurojnë mbrojtjen e pakicave. Kërkon gjithashtu respektimin e pasurive të tyre. Dhe nuk ka mundësi që pasuritë në zonën bregdetare të Himarës të mos jenë objekt që duhet mbrojtur” – ka deklaruar kryediplomati grek.

Sipas tij Greqia tashmë është rikthyer dhe ka për të luajtur nje rol të madh dhe pozitiv në Ballkan duke ndihmuar partnerët e saj në BE, Bullgarinë dhe Rumaninë të cilat janë jashtë Shengenit dhe dëshirojnë të anëtarësohen.

Por edhe sa i përket Ballkanit Perendimor Dhendias ka thënë se Greqia duhet të luajë një rol udhëheqës dhe stabilizues, në mënyrë që ky rajon të mund të fitojë një perspektivë europiane duke ushtruar edhe ndikimin e saj pozitiv pasi edhe pse Greqia ka qenë në krizë ekonomike tashmë ajo është rimëkëmbur dhe PBB i saj është shumë më i madh se i disa vendeve ballkanike së bashku.

I pyetur edhe për Maqedoninë e Veriut ministri i Jashtëm grek ka deklaruar se qeveria e Shkupit duhet të respektoje detyrimet nga Marrëveshja e Prespës në mënyrë rigoroze dhe precize.

Top Channel