Holanda pranë kualifikimit, Rusia zyrtarisht në Euro 2020!

13/10/2019 22:21

Fitorja e 4-t radhazi për Holandën që tashmë është shumë pranë kualifikimit në Euro 2020. Tulipanët u ngjitën përkohësisht në krye të grupit C falë suksesit 1-2 në Minsk ndaj Bjellorusisë, një fitore e merituar e Holandës që mund të kishte qenë edhe më e thellë.

Heroi i portokallinjëve në këtë sfidë ishte Goergino Wijnaldum. Mesfushori i Liverpoolit shënoi fillimisht me kokë dhe mas me predhë nga distanca duke e çuar Holandën në pushim në avantazhin e dy golave. Në pjesën e dytë bjellorusët u rikthyen në ndeshje me golin e Dragun në minutën e 54-t por vetëm kaq sepse Holanda e administroi shumë mirë avantazhin duke krijuar dhe një mori me raste dhe nëse nuk do të ishte për portierin vendas, rezultati do të ishte më i thellë në favor të miqve.

Rusia është zyrtarisht skuadra e tretë që siguron një biletë për në fazën finale të Euro 2020. Një fitore e thellë 0-5 në Nicosia ndaj Qipros i siguroi matematikisht vendin e 2-të në grupin I, Rusisë që ka ende shanse për të kapur vendin e parë.

Denis Cheryshev ishte ai që hapi dhe mbylli serinë e golave ndërkohë që rrugën e rrjetës e gjetën edhe Ozdoev, Dzyuba dhe Golovin. Po në këtë grup Skocia luajti tenis me San Marinon duke fituar me shifrat e thella 6-0.

U ngjit në vendin e dytë të grupit E ndërkohë Hungaria që me një gol të Korhut mposhti 1-0 Azerbajxhanin e vendit të fundit, dhe tashmë ka shanse serioze për t’u kualifikuar në Euro 2020./supersport.al

Top Channel