Vetëm një ditë pas dakordimit mes drejtuesve të partive politike, VV – LDK, për një koalicion të mundshëm paszgjedhor dhe krijimin e grupeve punuese për zhvillimin e negociatave mes këtyre dy partive, sot kryesia e LDK-së, vendosi që negociatat me Vetëvendosjen mund të zhvillohen vetëm pas certifikimit të rezultateve.

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së që zgjati më shumë se dy orë, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa theksoi se në mbledhje është diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor, derisa shtoi se negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje do të zhvillohen në momentin e certifikimit të rezultateve, ngase sipas tij, është një rezultat i ngushtë mes LDK dhe VV.

Mustafa: Negociatat me LVV-në do t’i zhvillojmë pas certifikimit të rezultateve

“Sot në kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, diskutuam edhe një herë faktin se kemi një rezultat mjaft të ngushtë me Lëvizjen vetëvendosje, pra, jemi 50/50, atëherë po presim certifikimin e rezultateve finale nga ana e KQZ-së dhe pas këtij numërimi final dhe siç dihet edhe një pjesë e vendvotimeve do të rinumërohen. Andaj, do të presim rezultatin final, duke mos përjashtuar edhe rreth 45 mijë votave qoftë nga mërgata, me kusht dhe atyre me aftësi të kufizuara. Pra, kemi një numër mjaft të madh të votave që do të numërohen dhe rinumërohen, prandaj, negociatat për një koalicion të mundshëm do t’i zhvillojmë në momentin e certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së”, theksoi Mustafa.

Zëdhënësi Mustafa nuk është përgjigjur se sot në këtë mbledhje është formuar apo jo grupi punues për negociata me VV-në për koalicion pas zgjedhor.

Mirëpo Mustafa komentoi deklaratat për media të nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, i cili ka thënë se LDK-ja nuk ka dalë mirë në këtë proces zgjedhor.

Po ashtu, zëdhënësi Mustafa tha se kjo parti do të respektoi vullnetin e qytetarëve pas certifikimit të rezultateve për pozitën e kryeministrit.

Mustafa: Pavarësisht se kush do të del partia e parë, ne do ta respektojmë

“Do të presim certifikimin e rezultateve, në momentin që kemi rezultatin final pavarësisht se kush do të del partia e parë, ne do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve, vullnetin e votuesve dhe konform këtij rezultati do t’i zhvillojmë edhe negociatat për një koalicion të mundshëm… Ne sot kemi diskutuar për faktin që kemi një rezultat mjaft të ngushtë në mes vendit të parë dhe të dytë, më pak se 5 mijë vota ose 2500 vota në mes këtyre dy partive… Thash, të gjitha zhvillimet e negociatave do i bëjmë në momentin kur certifikohen rezultatet. Takimi i radhës me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket zhvillimit të negociatave do të jetë vetëm pas certifikimit të rezultateve”, tha ai.

Ndryshe, LDK-ja dhe VV-ja, dje kishin paraparë që gjatë ditës së sotme të angazhonin ekipet për t’u dakorduar për programin qeverisës./kosovapress

Top Channel