Brenda pesë ditësh pritet të përmbyllet rinumërimi i 314 kutive të votimit dalur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit. Ndërkohë që numërimi i votave me kusht, me postë, dhe votave të personave me nevoja të veçanta pritet të fillojë javën e ardhshme, menjëherë pas përfundimit të procesit të rinumërimit të 314 vendvotimeve.

Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të cilët ditë më parë morën vendim për rinumërim të vetëm disa kutive, pas rekomandimeve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se deri në mesditën e sotme janë rinumëruar 55 kuti votimi, nga 314 kuti sa janë në total të vendosura për rinumërim nga QNR.

Elezi: Besojmë që brenda 4 ose 5 ditësh e përmbyllim rinumërimin e 314 kutive

“KQZ ka vendosur për rinumërimin e 314 kutive të votimit, rinumërimi ka filluar gjatë ditës së djeshme, të enjten pasdite dhe besojmë që brenda 4 ose 5 ditësh do të arrijmë që të përmbyllim të gjithë rinumërimin e këtyre kutive të votimit. Ajo çka mund të themi në këto momente është se deri sot në mesditë janë rinumëruar 55 vendvotime nga 314, sa është numri total i tyre dhe të cilat duhet të rinumërohen nga qendra e rinumërimit dhe rezultateve”, tha ai.

Ndërsa për votat me kusht, me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta, Elezi tha se numërimi i tyre do të fillojë menjëherë pas përfundimit rinumërimit të 314 kutive që janë në proces, që sipas tij, do të ndodh javën e ardhshme.

Elezi: Javën e ardhshme fillojmë numërimin e votave me kusht

“Sa u përket votave me kusht, votave me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta, po besojmë që gjatë javës së ardhshme, menjëherë pas përfundimit të rinumërimit të këtyre kutive të votimit, do të fillojmë procesin e numërimit të atyre votave, të cilat pastaj do t’i bashkohen rezultatit të vend-votimeve dhe do të procedojmë tutje drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare”, tha ai.

Vendimi i KQZ-së për rinumërim ka ardhur pas gjetjeve të QNR-së gjatë pranimit të materialit të vendvotimeve, për shkak të mos-përputhjeve.

Vendimi për 10 prej kutive është marrë meqë në të njëjtat gjatë hetimeve në QNR është gjetur se mungojnë votat e kandidatëve, disa fletë-formularë të rezultateve, dhe nënshkrime të anëtarëve të këshillave të vendvotimeve.

Në 304 vendvotime të tjera ka filluar rinumërimi sepse është gjetur një gabim teknik në formularët e rezultatit të subjekteve politike, gjë që ka bërë që votat e subjekteve mos të shënohen në rubrikën përkatëse.

Top Channel