Liderët e tre vendeve ballkanike, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ranë dakort gjatë një takimi në Novi Sad, që brenda vitit 2021 “të eliminohen kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit”.

Sipas deklaratës së përbashkët “njerëzit do të jenë në gjendje që të udhëtojnë me një kartë identiteti të vlefshme; do të jenë në gjendje që të punojnë kudo në rajon, sapo të kualifikohen për një vend pune; diplomat do të njihet në gjithë rajonin. Do të shtohet bashkëpunimi kundër krimit të organizuar ndërkombëtar e në tekst, theksohet gjithashtu angazhimi të ndihmojnë njëri-tjetrin duke iu përgjigjur urgjencave të tilla si katastrofat natyrore”. Kryeministri Edi Rama shpjegoi se “në thelb qëllimi që na ka bashkuar në këtë format është të shtyjmë përpara me më shumë energji e kordinim, procese që në letër janë shkruar e miratuar më shumë se një herë e të mos presim që këtë ta bëjnë të tjerët për ne”.

“Synimi që na ka bashkuar në këtë format ka rëndësi të madhe…. “S’ka ndryshim agjende në raport me partnerët ndërkombëtarë, por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh pa pritur që Bashkimi Evropian të ketë kohë të merret me ne. Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së, prioritieti i tyre është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”, ka thënë Rama.

Të tre udhëheqësit ballkanik i mëshuan përfitimeve që ekonomitë e vendeve të rajonit pritet të kenë nga një nismë e tillë. Një takim i dytë, është parashikuar të zhvillohet më 10 nëntor në Ohër, e takimi i radhës paskesaj, pritet të mbahet në Shqipëri.

Top Channel