Disa fëmijë autikë i kanë simptomat aq të rënda sa as ilaçet nuk u bëjnë efekt. Megjithatë, shumë prej prindërve thonë se kanabisi, ose më mirë kanabidioli (CBD), përbërësi që nxirret prej bimës së marijuanës, ka ndihmuar në shumë raste që t’ua zbutë simptomat.

Pak studime janë bërë, por ato që janë bërë kanë dalë me rezultate befasuese. Një studim i kryer me 53 fëmijë 4-22 vjeç të cilët morën kanabidiol për 66 ditë, tregoi se në 67.6% të rasteve u ul agresiviteti ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve; në 8.8% u përkeqësua.

Ndërsa simptoma e hiperaktivitetit u përmirësua në 68.4% të fëmijëve, nuk ndryshoi me 28.9% dhe u përkeqësua me 2.6%. Problemet me gjumin u përmirësuan në 71% të rasteve, u përkeqësuan në 4.7%.

Po ashtu dhe problemet me ankthin u përmirësuan në 47.1% të rasteve dhe u përkeqësuan në 23.5%. Efektet anësore kanë qenë përgjumja dhe ndryshimi me oreksin, por jo në nivele shqetësuese.

Për këtë arsye, shumë prindër duan me dëshpërim që kanabisi të lejohet të shitet për fëmijët e tyre autikë. Por përdorimi i kësaj substance mbetet i paligjshëm.

Një grup nënash u ngritën në formë mini-proteste në Arizona, në maj të vitit 2018, dhe kërkuan që të ligjërohej. “Po të dua të drogoj fëmijën tim, mjafton t’i jap ilaçet e sugjeruara nga mjeku. Kanabisi e qetëson realisht”, tha një prej nënave.

Kanabisi për autizëm u rikthye në qendër të vëmendjes kur Kalel Santiago, një fëmijë në Porto Riko, i cili kishte autizëm në shkallë aq të rëndë sa nuk fliste dot, nisi të thotë fjalët e para vetëm pasi i vendosej dy herë në ditë vaj kanabisi në gojë, sipas dr.Martinez, mjekut që e trajtoi.

Këtij fëmije në Porto Riko i është dhënë CBD që është nxjerrë nga kërpi, një bimë e ngjashme me kanabisin dhe që është e ligjshme. Dr.Martinez hapi më pas një kompani dhe shitjet e kanabidiolit të nxjerrë nga kërpi tani i shkojnë rreth 150 mijë dollarë në muaj.

Top Channel