Ilaçi shkaktoi efekte anësore, kompania farmaceutike gjobitet me 8 miliardë dollarë

10/10/2019 06:03

Një gjykatë në Pensilvani e dënoi kompaninë amerikane Johnson & Johnson, me një gjobë marramendëse: 8 miliardë dollarë dëmshpërblim duhet t`i paguajë ajo një 26 vjeçari i cili ka përdorur që fëmijë ilaçin e saj antipsikotik Risperdal.

Kjo bëri që Nicholas Murray ti rritej gjoksi. I riu thotë se nuk ka pasur kurrfarë paralajmërimi se një gjë e tillë mund të ndodhte si efekt anësor.

Ky është sanksioni më i rëndë i vendosur deri më tani një shumëkombësheje farmaceutike amerikane, ndonëse llogaritet të jenë ndërmarrë plot 13,000 veprime ligjore kundër Risperdal.

Në aktpadi, Johnson & Johnson akuzohet se ishte në dijeni të rreziqeve, por sërish nuk i ka paralajmëruar siç duhet mjekët dhe pacientët. Murray, i cili e përdorte rregullisht Risperdal, që shërben për trajtimin e skizofrenisë dhe çrregullimeve bipolar, e hodhi në gjyq si kompaninë, ashtu dhe filialin e saj Janssen Pharmaceuticals.

Vetë firma e cilësoi si tejet të ekzagjeruar shumën në krahasim me dëmshpërblimin e parë prej 680 mijë dollarësh, e tha se shpreson që ky vendim të ndryshojë, sepse sipas saj është i pajustifikuar.

Top Channel