Nis sot në Elbasan festivali ndërkombëtar i teatrit “Skampa 2019” në edicionin e tij të 21.

Janë 14 trupa teatrore nga vende të ndryshme të botës, të përzgjedhura mes 150 aplikimeve, që do të sjellin në skenën e teatrit Skampa, por jo vetëm, vepra të njohura të autorëve me famë botëore, për ta shndërruar Elbasanin për një javë, në kryeqendrën e artit. Sipas drejtuesve të këtij festivali, tradita vijon për të qenë gjithmonë pranë zhvillimeve bashkëkohore të teatrit, por edhe për të rritur cilësinë e jetës qytetare.

 

Në Festivalin e 21 të teatrit “Skampa 2019” do të marrin pjesë trupa teatrore nga Italia, Maqedonia, Azerbajxhani, Rumania, Hungaria, Kosova, Polonia, Amerika etj. Regjisori Amerika Karlos Espinal shpreh kënaqësi për pjesëmarrjen në këtë festival.

 

“Jam shumë i nderuar të jem këtu, pjesë e këtij festivali. Jam inderuar që jam në Shqipëri. Ishte ëndrra ime të isha pjesë e këtij festivali dhe të vizitoja vendin tuaj të mrekullueshëm. Kur folëm me Adonisin duket sikur njiheshim përgjithmonë. Nuk kisha parë kurrë aq shumë pasion për artin”, u shpreh ai.

Festivali i parë Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa” hapi siparin në vitin 1999 në Elbasan, me sloganin “Format e reja”, në koherencë me zhvillimet integruese evropiane, si i pari festival ndërkombëtar teatror, që i çeli rrugën edhe festivaleve të tjera në Shqipëri.

Ky eveniment, tashmë ka siguruar një traditë të spikatur, me biografinë dhe vokacionin artistik të tij, duke kontribuar mjaft në promovimin e artit shqiptar jashtë vendit, me pjesëmarrjen e një sërë trupash e kompanish në mjaft festivale ndërkombëtare

Top Channel