Vrasje për xhelozi/ Punonjësi i burgjeve vret ish të dënuarin në Kavajë në shtëpinë e një gruaje

10/10/2019 10:34
I plagosuri Bledar Toçi

Një person mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur si pasojë e një konflikti për motive xhelozie. Ngjarja u regjistrua në qytetin e Kavajës, rreth orës 1 pas mesnatës së të mërkurës.

Skena e krimit u shndërrua shtëpia e shtetases Marsida Qatja, e cila është nënë e tre fëmijëve, ndërsa bashkëshorti i saj, rezulton të jetë në burg në Gjermani.

Personi që mbeti i vrarë, është Dritan Haxholli, i cili ka qenë i dënuar më parë, ndërsa i plagosur mbeti Bledar Toçi, shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit.

Ky i fundit ka qenë në shtëpinë e Marsida Qatjas në momentin e ngjarjes, e cila dyshohet se ka pasur një lidhje jashtëmartesore me të.

“Rreth orës 1 pa njëzet pas mesnatë, Dritan Haxholli, tenton të hyjë në shtëpinë e M. Qatjas, por pa sukses pas ajo refuzoi. Më pas ai, del në pjesën e pasme të pallatit, ku nëpërmjet këtyre kangjellave, ngjitet në ballkon dhe hyn në shtepi duke hapur me forcë grilën.”

Me Dritan Haxhollin, Marsida Qatja, kishte rreth dy javë që i kishte dhënë fund një lidhjeje dashurie që ata kishin pasur.

Ka qenë pikërisht momenti pas hyrjes me dhunë në shtëpi që u shndërrua në konflikt mes Haxhollit dhe Bledar Toçit. Haxholli ka nxjerrë një armë të cilën e kishte me vete dhe ka qëlluar shefin e sigurisë së burgut. Ky i fundit edhe pse i plagosur, iu kundërpërgjigj me armën e shërbimit duke e lënë Haxhollin të vdekur në vend.

Bledar Toçi, më pas u dërgua në spitalin e Kavajës për të marrë ndihmë mjekësore i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por mbi të tashmë rëndon akuza e vrasjes me dashje.

Po ashtu policia ka ushtruar kontroll edhe në shtëpinë e këtij të fundit ku është gjetur edhe një sasi kokaine prej shtatë dozash, e cila i përkiste vëllait të tij 27 vjeçar. Edhe ky u vu në pranga nga policia për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Banorët e pallatit ku ndodhi ngjarja, refuzuan të flisnin përpara kamerës, por jashtë saj tregojnë se si e përjetuan ngjarjen.

Të gjitha të dhënat dhe materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës, e cila po merret me zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila po ashtu ka pyetur edhe të zonjës e shtëpisë, Marsida Qatjan, për të dhënë versionin zyrtar të ngjarjes.

Më shumë për këtë ngjarje mund të lexoni në:

  Fotot e tre personave të përfshirë në ngjarjen e Kavajës

Top Channel