Incident në veri të Kosovës/ Policia bllokon ekipin e Crvena Zvezdës, do luante për kupën e Serbisë

09/10/2019 18:49

Një incident ka ndodhur në Jarinë kur Policia e Kosovës nuk lejoi të hyjë në vend autobusin e skuadrës së Crvena Zvezdës në territorin kosovar për të zhvilluar ndeshjen e 1/16 të finaleve të Kupës së Serbisë me skuadrën e Trepcës e parashikuar luhej këtë të mërkurë në orën 15:00.

Federata e Futbollit të Kosovës vendosi moszhvillimin e kësaj sfide dhe Policia nuk lejoi hyrjen e ekipit serb.

Federata E futbollit të Kosovës nëpërmjet presidentit të saj Agim Ademi,  reagoi pas kësaj ngjarjeje. Kreu u qeverisë së futbollit kosovar e përgëzoi policinë për ndalimin e hyrjes së skuadrës së Crvena Zvezdës në Jarinë duke konfirmuar se ndeshjet zyrtare të futbollit serb  nuk do të zhvillohen kurrë në Kosovë.

“Ne kemi qenë gjithmonë për promovimin e sportit dhe kemi lejuar organizimin e ndeshjeve bamirëse dhe atyre miqësore, mirëpo asnjëherë nuk do ta lejojmë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Serbisë në Kosovë, sepse është kundër statutit tonë dhe të UEFA-s”-tha presidenti i FFK, Agim Ademi per median kosovare

Ndërkaq, krejt ndryshe ishte reagimi i Crvena Zvezdës ndaj kësaj ngjarjeje. Drejtuesit e klubit serb nëpërmjet një postimi në Facebook akuzuan qeverinë e Kosovës duke theksuar se ishte ajo që mori vendimin për moszhvillimin e ndeshjes. Sipas Crvena Zvezdës, institucionet kosovare gënjyen kur deklaruan se do të ndanin sportin nga politika gjë për të cilën u pranuan edhe në UEFA e FIFA. Ndërkaq, sipas medias serbe ndeshje e Kupës së Serbisë mes Crvena Zvezdës dhe Trepcës do të zhvillohet ditën e enjte

Top Channel