Rreth 360 mijë euro gjoba janë shqiptuar ndaj partive politike për shkelje të ndryshme gjatë procesit zgjedhor. E, partia e cila prinë me shumën më të madhe të gjobës, është Partia Demokratike e Kosovës. Derisa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë adresuar 355 ankesa.

Partia Demokratike e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkojnë rinumërimin e votave. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për KosovaPress, Mul Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Pareshtresa.

“Që të tria Nisma-AKR-PD, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pretendojnë se në formularët për përputhjen e rezultateve ekziston një gabim në ata formularë, ku një rubrikë mungon apo vendi ku duhet të regjistrohen votat e këtyre subjekteve, mungon komplet një rubrikë aty. Për mungesën e asaj rubrike, votat janë bartur nga numri 1 në 2, e me radhë kështu ka shkuar bartja e votave.

Dhe duke parë këtë parregullsi ata formularë janë të njëjtë në gjithë Kosovën edhe në ato vendvotime ku i kanë identifikuar këto parregullsi, i kanë marrë si bazë edhe si fakt, se për shkak se këta formularë janë të njëjtë, pretendojnë se të gjitha rezultatet e votave të subjekteve të tyre politike janë regjistruar në mënyrë të gabuar dhe kanë kërkuar që të bëhet rinumërimi”, thotë Desku.

Sipas tij, Nisma Socialdemokrate ka kërkuar që të bëhet rinumërimi i të gjitha vendvotimeve për të gjitha subjektet politike, ndërsa dy partitë tjera LDK e PDK kanë kërkuar që të bëhet rinumërimi në gjithë Kosovën, por vetëm për subjektet e tyre.

Ai tregon po ashtu se sa ankesa janë adresuar në PZAP deri më tani. “Deri më tani për gjithë procesin zgjedhor kemi pranuar në PZAP, apo subjektet politike edhe OJQ-të kanë parashtruar në PZAP gjithsej 355 ankesa. Prej tyre 269 janë ankesa, ndërsa 86 janë apele. Apelet janë shqyrtuar para fillimit të fushatës zgjedhore, dhe të gjitha palët kanë marrë përgjigjet e tyre. Derisa ankesat për heshtjen zgjedhore janë shqyrtuar dhe gjitha palët kanë marrë vendimet lidhur me këto ankesa. Ndërsa, kanë mbetur pa shqyrtuara janë në procedurë të shqyrtimit dhe vetëm ankesat, të cilat janë dorëzuar gjatë ditës së djeshme që i referohen ditës së zgjedhjeve. Do të thotë vetëm 22 ankesa janë në procedurë të shqyrtimit”, shton Desku.

Krahas kësaj, Desku për KosovaPress deklaron gjobat të cilat janë shqiptuar për partitë politike gjatë fushatës zgjedhore, derisa thekson se PDK prinë me shumën më të madhe të gjobave. “Deri më tani për shkeljet që janë vërtetuar nga paneli, janë gjetur përgjegjëse subjektet politike për ato shkelje, paneli ka shqiptuar gjoba në përgjithësi në vlerë prej 359 mijë e 550 euro, ndërsa më së shumti është gjobitur Partia Demokratike e Kosovës me 100 mijë e 100 euro, LDK me 74400 euro, LVV me 14100, Lista Serbe me 36500, koalicioni AAK-PSD me 89600 euro, NISMA-AKR-PD 33100 euro”, thekson ai. Sa i përket ankesave të Nismës Socialdemokrate, LDK-së e PDK-së të cilat kanë kërkuar rinumërim të votave, PZAP-ja ka kohë 72 orë për të vendosur lidhur me këto ankesa./Kosovapress/

Top Channel