Hudhrat e kuqe të Shqipërisë – Pse çmohen fort për vlerat shëndetësore dhe shijen

08/10/2019 15:41

E veçanta e kësaj hudhre është shija e fortë që ka duke i bërë speciale gatime.

Ka disa produkte tipike shqiptare që ndoshta nuk përbëjnë shumë kuriozitet për vetë ne shqiptarët por kur vjen puna tek turistët e huaj, ato tërheqin menjëherë vëmendjen.

Një grup turistësh gjermanë, teksa vizituan rajonin e Prespës u mahnitën nga gatimet tradicionale shqiptare atje, teksa shijen më të veçantë të disa prej gatimeve tipike e kanë gjetur tek hudhrat e kuqe.

Madje, ata janë kujdesur që disa tufëza të vogla me hudhra të kuqe t’i marrin me vete si produkte bio dhe të veçanta nga Shqipëria.

Ladi Çomo, administruesi i një pike agroturizmi thotë për AgroWeb.org se hudhrat e kuqe janë një produkt që tërheq shumë vëmendjen e turistëve të huaj.

“Duke qenë se është një produkt i veçantë dhe shijen e ka më unike se hudhrat e bardha ne mundohemi që t’ua prezantojmë vetë turistëve, të cilët jo vetëm mbeten të mahnitur kur e provojnë por marrin gjithnjë me vete.

E veçanta e kësaj hudhre është shija e fortë që ka duke i bërë speciale gatime.

Ndërkohë që hudhra e kuqe vlerësohet shumë edhe për vlerat e forta shëndetësore që ka. Këtu në zonën tonë ajo përdoret gjerësisht në kura të ndryshme popullore” thotë Çomo për AgroWeb.org.

E njohur në Shqipëri, E rrallë në botë

Hudhra e kuqe është një varietet i veçantë, që fatmirësisht gjendet në zona të ndryshme të Shqipërisë por në botë ajo mbetet e rrallë.

Dikur, fara e saj ka qenë shumë popullore sidomos në fshatrat e vendit, zona në të cilat fshatarët kujdesen që ta kultivojnë edhe sot.

Një varietet i rrallë, shumë i njohur nga shefat më prestigjioze të kuzhinës në botë ashtu si edhe nga mjekësia popullore për përdorimet e saj shëruese.

Ndonëse nuk haset shpesh në tregjet e mëdha, hudhrat e kuqe gjenden lehtë në tregjet e fshatarëve dhe kanë të njëjtin çmim si ato të bardha.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë vlerat e veçanta të hudhrës së kuqe, të cilat çmohen fort për vetitë e tyre shëndetësore.

Përfitimet Shëndetësore Të Hudhrës Së Kuqe

Quhet e kuqe për shkak të ngjyrës së lëkurës së saj ndonëse thelpinjtë e saj janë të bardhë.

Për nga pikëpamja e vlerave ushqimore, hudhra e kuqe ka të njëtat vlera ashtu si edhe e bardha  por në krahasim me këtë të fundit ka disa veti të tjera më të veçanta shëndetësore.

E përdorur në receta të ndryshme ajo u jep gatimeve një shije të këndshme dhe aromë fantastike. Foto: Flickr

Hudhra e kuqe vlerësohet për përmbajtjen e saj natyrale të organosulfurit, një substancë me shumë përfitime për shëndetin e organizmit.

Këto substance vlerësohen se mbrojnë organizmin nga sëmundjet tumoriale.

Hudhra e kuq vlerësohet gjithashtu për vetitë e forta anti inflamatore duke luftuar shumë sëmundje kronike, tumore, obezitetin, sëmundjet e zemrës ashtu si edhe diabetin.

Gjithashtu, ajo ka fuqi kundër infeksioneve, virozave dhe baktereve duke vepruar si një antibiotic i vërtet natyral në organizëm.

Hudhra e kuqe është një burim i mirë vitaminash dhe mineralesh ndërsa vlerësohet për vetitë e saj antioksidante.

Shije e Fortë, Gatime Speciale

Hudhra e kuqe veçon për shijen e saj të fortë, të thellë dhe pak pikante.

Ajo përdoret në receta të shefave prestigjioze të kuzhinës në përgatitjen e salcave të ndryshme.

E përdorur në receta të ndryshme ajo u jep gatimeve një shije të këndshme dhe aromë fantastike.

Ndaj dhe në pika të ndryshme agroturizmi në vend, hudhra e kuqe është shndërruar në një përbërës unik që me sa duket po tërheq shijen e turistëve të huaj./AgroWeb

Top Channel