Nënkryetari i Listës Serbe Dalibor Jevtiq tha sot se pa bisedime me Listën Serbe, e cila fitoi të gjitha 10 vendet me mandat serb, është e pamundur të formohet Qeveria e re e Kosovës.

Ai në një intervistë për RTS tha se është shumë e rëndësishme që Lista Serbe fitoi të gjitha 10 vendet, pasi nuk i lë hapësirë askujt prej liderëve shqiptarë që të ‘tregtojnë’ me interesat e popullit serb në Kosovë.

“Kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme për ne të fitojmë me një përqindje të madhe,” tha Jevtiq.Ai tha se deklarata e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se ai do të ishte një përfaqësues i serbëve në qeveri, por jo edhe një përfaqësues i Listës Serbe, flet për atë që ai do të dëshironte, por që sipas tij, tjetër është ajo që thuhet në ligje.”Kushtetuta, neni 96, thotë se një përfaqësues i serbëve në Qeverinë e Kosovës do të zgjidhet nga shumica e përfaqësuesve të atij komuniteti në Kuvendin e Kosovës.

Këtu nuk ka asnjë debat. Ajo që ka thënë Kurti se do të marrë, nuk e di cilin serb, do të ishte sikur ne të themi se nuk e duam Kurtin për kryeministër, por do të marrim dikë tjetër. Kjo thjesht është e pamundur”, tha Jevtiq.Ai beson se nëse Kurti me të vërtetë dëshiron të jetë kryeministër i Kosovës, duhet të marrë parasysh faktin që Lista Serbe ka fituar.Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve kur bëhet fjalë për partitë shqiptare, Jevtiq tha se pakënaqësia ishte e dukshme dhe e shprehur përmes procesit zgjedhor.

“Mesazhi për ata që kanë qenë në pushtet për disa dekada është – ne nuk jemi të kënaqur me punën tuaj, ne duam njerëz të ri, veçanërisht pasi që partia e Albin Kurtit dhe ajo e Isa Mustafës ishin në opozitë në përbërjen e kaluar të parlamentit”, tha Jevtiq, transmeton KosovaPress.Ai shtoi se duhet pritur rezultatet përfundimtare, pasi në këtë pikë nuk ka shumë dallim midis Vetëvendosjes si partia e parë dhe LDK-së në vendin e dytë, pasi që votat me postë ende nuk janë numëruar, megjithëse supozohet se shumica e tyre do të shkojnë për Vetëvendosjen.

Top Channel