Ekspozita për Geraldinën, muzeu i Hungarisë dhe ai i Shqipërisë sjellin jetën e Mbretëreshës

04/10/2019 20:30

Mbretëresha Geraldinë pati një atdhe të lindjes-Hungarinë dhe një atdhe të jetës- Shqipërinë. Ajo e deshi aq shumë këtë vend saqë mbas 60 vitesh në mërgim, vitet e fundit vendosi t’i kalonte këtu. Prandaj edhe Muzeu Kombëtar i Hungarisë, së bashku me këtë të Shqipërisë, i kushtojnë këtë ekspozitë.

Ndodh rrallë në histori që vullneti i mirë, bukuria dhe përkushtimi ndërtojnë një urë ndërmjet dy kombeve. Për këtë shqiptarët dhe hungarezët kanë së bashku kujtimin e Mbretëreshës Geraldinë.

“Donim të tregonim fëmijërinë e saj. Jetën e saj në Hungari. Kohën kur ajo ishte një adoleshente. Dhe më vonë, kur u bë aktore. Sepse në Hungari ajo ishte aktore”, thotë Balazs Meszaros, historian dhe menaxher projekti.

Emërtimi “Trëndafili i bardhë” na kujton një episode nga jeta e Geraldinës në moshë të re. Në fillim të viteve 1920, qyteti piktoresk hungarez i Zabegency e magjepste teton e dashur të Geraldinës, Franciska Apponyi. Ajo u vendos aty dhe bleu një dyzinë të shtëpive. Ajo themeloi një Republikë për fëmijë, ku Geraldina e re ishte anëtare. Çdo qytetar i Republikës, mori emrin e një luleje ose të një kafshe.

“Në komunitetin ku ajo bënte pjesë, të gjithë anëtarët mbanin emrin e një luleje, dhe Geraldna mori emrin ‘Trëndafili i bardhë”, tregon Meszaros.

Për mbretëreshën Geraldinë janë botuar disa libra, në të cilat dalin në pah dashuria e saj njerëzore dhe vlerat. Në një letër që i ka dërguar mbretëreshës Geraldinë më 12 mars 2002, shkrimtari i shquar, Ismali Kadare ndër të tjera i shkruan për kthimin e saj në Shqipëri:

“Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”.

“Pas ndryshimit të regjimit në vendin tuaj, ajo u kthye. Nuk erdhi në Hungari, në shtëpinë e saj të parë, por vendosi të kthehej në Shqipëri. Dhe e bëri këtë, sepse ishte mbretëresha e Shqipërisë”, thotë Meszaros.

Jetona Koçibelli

Top Channel