Gazetari dhe përkthyesi Renato Kalemi, ka mbërritur në përkthimin e tij të gjashtë, dhe të parin të një nobelisti.

Një emër i madh si Kazuo Ishiguro, nobeli i 2017-s, ka ardhur tashmë në shqip me “Gjigantin e fjetur”. Kalemi e ka përshtatur këtë histori kujtese dhe harrese, që sipas “The Guardian” lexohet kaq lehtë dhe përpihet me një frymë.

“Gjithmonë më kujtohen të mëdhenjtë Kamy, e shumë të tjerë për të cilët ka njëlloj vështirësie në përkthim. Gjithmonë e kam menduar këtë dhe para se ta merrja Kazuaon, kisha edhe unë ato dyshimet e mia. Por gjithsesi duke pasur pesë libra para tij të përkthyer në eksperiencë, mendova se mund ta përballoja. kështu që besoj do t’ja kem dalë me sukses”, shprehet përkthyesi dhe gazetari Renato Kalemi.

Historia nis nga Akelsi dhe Beatrisi, një çift të moshuarish që nisen në kërkim të djalit të tyre, përmes tokash të mbuluara nga një mjegull e dendur që ju fshin kujtimet. Koha është ajo e mbretit Artur, që nëpërmjet realizmit magjik të kësaj harrese ka vendosur paqen në vendin e britonëve dhe saksonëve.

“E kam shijuar shumë. më ka lënë një shije të përzierë në kuptimin sepse trajton një temë, që është e përditshme e jona. Ka të bëjë me kujtesën dhe harresën. e cili prej nesh ka gjëra të bukura që do t’i kujtojë. Ka gjëra të trishtuara që do t’i harrojë. Libri flet për këto të dyja”, tregon Kalemi.

Por ç’ndodh kur nuk ka kujtime? Po sikur, pa to, dashuria jonë të jetë e paracaktuar të vdesë, duke u shuar ngadalë? Por përsëri njerëzit dhe gabimet e tyre janë në qendër të kësaj përralle-shkruan “The Independent”.

“Romanin jua sugjeroj të gjithëve. Ka një gjuhë goxha të thjeshtë, edhe kalon lehtë, pavarësisht se gjërat që trajton duan pak mendim. Dhe në fund besoj që do t’i lerë një shije jo të përzierë si unë, por të mirë lexuesit”, thotë përkthyesi Kalemi.

 “Gjiganti i fjetur” është cilësuar si një libër që të mbetet gjatë në mendje, nga ata libra që të detyron t’i rikthehesh gjithnjë e më shpesh.

 

 

Top Channel