Specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Qendrën e Kërkimeve Shkencore në Paris kanë hapur mozaikun e Bazilikës Paleokristiane në qendër të qytetit të Elbasanit.

Grupi i specialistëve është duke studiuar dhe dokumentuar të gjitha të dhënat e këtij mozaiku i cili, sipas studiueses franceze Marie Patrisia Raynaud është më i bukuri në Shqipëri dhe më tej.

“Mozaiku është më i miri në Shqipëri, më i organizuari. P.Sh ju shikoni tre panele të cilat kanë kuptime simbolike. Në fillim ju shihni pjesën e detit me peshq dhe peshkatarë, i cili për të krishterët simbolizon mrekullinë e peshkimit”, ka thënë Marie Patrisia Raynaud, nga Qendra e Kërkimeve Shkencore, Paris.

I zbuluar në vitin 2007 si një nga mozaikët më të bukur në vend, synimi kryesor ka qenë aksesueshmëria e tij dhe atraksioni turistik. Në lidhje me këtë specialistët japin mendimet e tyre.

“Për vetë qytetin është e rëndësishme sepse ky është një thesar. Do të ishte shumë interesant, një pike turistike shumë e mirë. por është shumë e rrezikshme që ne ta hapim këtë mozaik sepse pikturat do të shkatërroheshin. Zgjidhja më e mirë do të ishte një mbulesë e përkohshme dhe më vonë të mendohej një projekti i madh për të hapur edhe pjesët e tjera rrotull”, thotë Marie Patrisia Raynaud.

“Po duhet të jetë e hapur. Por edhe kjo përbën problem sepse kur është e hapur njerëzit hyjnë dhe e shkatërrojnë. Pra duhet mbyllur dhe duhet vënë një mbulesë dhe roje gjithashtu. Por duhet të ketë edhe mirëmbajtës që të pastrojnë çdo papastërti që mund të bjerë në të”, tha Astrid Mare’chaux.

Pjesë e rëndësishme e projektit është ruajtja e tij dhe frenimi i degradimit të mëtejshëm. Specialistët janë duke restauruar pjesët e rrezikuara për të evituar rrëshkitjet e tyre dhe prishjen e imazheve impresionuese të mozaikut.

Top Channel