Kurthet me bomba në ndeshje/ Policia zbulon planin e tifozëve, ndalohen disa persona

30/09/2019 19:49

Tensionimi i atmosferës mes tifozerive të Tiranës dhe Partizanit në prag të ndeshjes derbi dhe skenat e dhunës e përleshjeve mes tyre, duket se kanë qenë vetëm një pjesë e asaj që ishte parashikuar të ndodhte.

Megjithatë gjithçka është zbuluar nga policia duke evituar realizimin e planit të një pjese të tifozëve të skuadrës së Tiranës.

Top Channel ka filmuar një sasi mjetesh piroteknike, të papërcaktuar qartë se për çfarë lënde plasëse bëhet fjalë. Një informacion që as policia nuk ta jep në pritje të rezultatit të ekspertizës që po i bëhet në një laborator kriminalistik.

Këto mjete siç shihet janë të lidhura me njëra tjetrën në seri nëpërmjet një fije të telekomanduar që do të sillte shpërthimin e tyre.

Kjo sasi mjetesh piroteknike ka qenë e vendosur pas portës së krahut jugor, pas reklamave të rrethimit të fushës dhe pranë tifozerisë së Partizanit. Menjëherë policia e kryeqytetit ka sekuestruar serverin e kamerave të stadiumit ku janë filmuar personat të cilët i kanë vendosur.
Montimi dhe lëvizjet janë bërë gjatë natës, përpara se stadiumi të merrej nën ruajtjen e policisë së shtetit dhe stjuartëve të policisë private.

Hetimet për identifikimin e tifozëve të përfshirë në këtë ngjarje vazhdojnë, ndërkohë që skuadra e Partizanit e ka konsideruar një akt terrorist të mbetur në tentativë këtë ngjarje, duke kaluar në plan të dytë, kjo për shkak të rrezikshmërisë, vërejtjet për mungesën e masave të sigurisë gjatë përleshjeve të tifozëve apo për mungesën e etikës në disa nga parullat e tifozëve.

Ndërkohë që skuadra e Tiranës nëpërmjet një komunikate për shtyp është distancuar nga aktet e dhunës së ndodhur dhe mungesën e etikës nëpërmjet parullave, duke vënë theksin në bashkëpunimin me organet e policisë së shtetit, madje duke ftuar edhe klubin Partizanit të ruaj qetësinë dhe të bashkëpunojë me policinë nëse disponon fakte për akuzat e hedhur.

Top Channel