“Sofat Fest” solli në fshatin “Asim Zeneli” në Gjirokastër për herë të parë magjinë e tingujve të një performance muzikore komplekse. Officina Zoe nga Italia dhe Fanfara Tirana e Hysni Zela mbajtën peshë mbrëmjen dhe natën në fshatin e vogël 15 minuta larg Gjirokastrës. Grupi polifonik i Antigonesë, grupi i Lunxhërisë, grupi i Tepelenës grupe muzikore nga qyteti e mbajtën gjallë festën dedikuar sharmit të jetës rurale deri afër zbardhjes së ditës.

Eno Hilaj, administrator i njësisë, tha se ngjarja përcolli pozitivitet dhe një atmosferë të pazakontë në fshat.

Më parë gjatë ditës vizitorët e shumtë nga e gjithë Shqipëria si dhe dhjetëra turistë të huaj shijuan, mjaltin, rakinë, produktet e gatuara në fshat. Një pjesë e vizitorëve kanë shijuar momente ndryshe në një kinema të improvizuar verore.

Hysni Zela nga Fanfara e Tiranës tha se jeta në fshat meriton të celebrohet dhe se festa të tilla ndryshojnë stilin e jetës dhe vëmendjen edhe për probleme të tjera si mjedisi dhe turizmi.

Edhe vizitorët dhe ofruesit e shërbimeve kanë shijuar këtë mjedis ndryshe. Magda nga Polonia thotë se gjendet në vendin e duhur.

“Atmosfera është fantastike, gjendem në vendin e duhur për të shijuar pije shumë të mira, valle shqiptare dhe njerëzit janë shumë miqësorë”, tregon ajo.

“Sofat” synon të kthehet në një event të përvitshëm lokal për t’i bërë atraktive destinacionet rurale. Fundjavën tjetër “Sofat” do të zhvendoset në Libohovë.

Top Channel